Auditori: Kosova ka blerë gjysmë milioni më shtrenjtë aparatin e angiografisë

Aktuale June 19, 2018 - 08:48
Lexoni më shumë detaje

Zyra e Auditorit në një raport të publikuar ditë më parë ka konstatuar se Kosova ka blerë  për 490 mijë euro më shtrenjtë sesa çmimi real aparatin e angiografisë, i cili trajton sëmundjet e zemrës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ky aparat përdoret për ekzaminime radiologjike të enëve të gjakut për t’i parë ndryshimet e mundshme patologjike, si: aneurizmat, ngushtimet e ndryshme nga arteriosklerozat, trombet dhe embolat.

Angiografia është blerë në vlerën prej 2 milionë e 600 mijë euro, ndërsa pavarësisht që konsiderohet se është blerë gati gjysmë milioni më shtrenjtë ai ende nuk është sjellë në Kosovë, ndonëse marrëveshja për blerjen e tij ishte bërë në fund të vitit 2015, vonesë kjo si pasojë e mosadaptimit të hapësirës për vendosjen e pajisjes sipas standardeve të kërkuara.

LEXO EDHE: Hoxha: Vizat hiqen sivjet

“Marrëveshja ishte për 490,000 euro më e lartë sesa çmimi blerës i kësaj pajisjeje. Kjo vlerë ishte parashikuar për konsulencë pas adoptimit të pajisjes. Kjo kishte shkaktuar shpenzime shtesë si tarifë menaxhimi 10 për vlerë 2,450 euro, si dhe tarifë zotimi në vlerë 1,336 euro për shkak të vonesës në tërheqjen e mjeteve për këtë marrëveshje”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti, në analizën e bërë nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) në mungesë të kësaj aparature e cila trajton sëmundjet e kardiologjisë, MSH-ja përafërsisht paguan 5,000,000 euro në vit për trajtimin e pacientëve në spitalet e ndryshme të cilat i kryejnë këto shërbime.

Ministria e Shëndetësisë nuk pranon se aparati i angiografisë është blerë për gati gjysmë milioni më shtrenjtë.

Zyra për Informim e MSH-së ka thënë për “Zërin” se këto para kanë shkuar për trajtim të stafit dhe për shtim të hapësirave ku do të vendoset pajisja.

“Sipas kontratës së nënshkruar, në nëntor të vitit 2016 është paguar një avancë prej 2,110,000 eurosh për blerjen e aparatit të angiografisë, ndërsa pjesa prej 490 000 eurove ka të bëjë përveç trajnimit të stafit profesional të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Vjenë nga kompania ‘Philips’, edhe me shtimin e hapësirave ku do të vendoset aparati, zgjatjen për 100% të garancisë për aparatin prej 12 në 24 muaj dhe gjithashtu mbrojtjen nga rrezatimi”, thuhet në përgjigjen e kësaj Zyre.

MSH-ja më tej thotë se vendosja e angiografisë në QKUK është vonuar për shkak të nevojave për riprojektim të hapësirave.

Megjithatë shuma prej 490,000 eurove në marrëveshjen mes Kosovës dhe Austrisë për këtë aparaturë po konsiderohet se do të dyfishohet.

Kështu së paku ka thënë për “Zërin” ish-ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, sipas të cilit mirëmbajtja e pajisjes dhe trajnimi i stafit mjekësor mund të shkojë deri në një milion euro.

“Tash e sa kohë, edhe pse ne atëherë i patëm filluar punimet, kjo punë nuk po përfundohet dhe sipas asaj se çka po shihet do të kushtojë së paku dyfishin e shumës që neve na u është kontestuar. Shto këtu që aty nuk hyn tash as mirëmbajtja shtesë e as trajnimi i stafit në klinikat e Austrisë. Do të kushtojë më shumë sepse ne kur e kemi tenderuar punën ofertat kanë qenë të tilla. Tash ajo punë është kamufluar brenda disa investimeve tjera e që saktë nuk dihet sa është. Uroj që të mos shkojë në një milion”, ka thënë Rrahmani.

Ai ka bërë të ditur se kishte kërkuar që në shumën prej 390,000 eurove të hyjë edhe rregullimi i hapësirave dhe trajnimi i stafit shëndetësor, por këtë e kishin kundërshtuar disa deputetë të Kuvendit, andaj edhe tani shpenzimet duhet t’i kryejë MSH-ja së bashku me Shërbimin Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Sipas tij, aparatura është blerë përmes tenderit në Austri dhe procedurat janë zhvilluar atje dhe kjo aparaturë do të krijonte siguri për pacientët.

Kurse anëtari i Bordit të Shërbimit Spitalor, Klinikë dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Shemsi Veseli, ka thënë se defekti ka qenë prej fillimit të procedurave kur janë zvarritur në mandatin e kaluar të ministrit Imet Rrahmani dhe ka qenë një grup i caktuar.

“Probleme ka pasur, madje është shtuar edhe problemi i penalizimeve. Sipas informacioneve të fundit që kemi, presim që brenda një periudhe shumë të shkurtër të vijë angiografi”, ka deklaruar Veseli.