Hoxha: Vizat hiqen sivjet

Aktuale June 19, 2018 - 08:30
Intervistë me ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë një interviste për “Zërin” është shprehur e bindur se Bashkimi Evropian këtë vit do t’i heqë vizat për Kosovën. Sipas saj, pas rekomandimit që do të jepet nga Komisioni Evropian këtë muaj, i cili beson se do të jetë pozitiv, nevojiten 3-6 muaj kohë për t’i përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme në Parlamentin Evropian, si dhe në Këshillin e Ministrave të BE-së

Me publikimin e rekomandimit nga Komisioni Evropian (KE), i cili do të ndodhë në fund të këtij muaji, do të bëhet e qartë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Kështu ka deklaruar ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha, e cila në një intervistë për Zërinështë shprehur e bindur se ky proces do të finalizohet përgjatë këtij viti.

Sipas të parës së MIE-së, nga dita e marrjes së sinjalit pozitiv për liberalizim nga KE-ja procedurat e miratimit në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave mund të marrin kohë 3 deri në 6 muaj.

LEXO EDHE: Gjyqtarët e ''luksit''

Lidhur me çështjen e vizave ajo ka bërë të ditur se si ministre bashkë me krerët e tjerë institucionalë janë duke lobuar te vendet që janë skeptike rreth liberalizimit për Kosovën.

Ndërkohë, ka vlerësuar se pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si shtet nuk paraqesin asnjë pengesë në procesin e liberalizimit.

“Pesë shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit tonë nuk do të mundë ta pengojnë as liberalizimin e as procesin tonë integrues”, ka theksuar Hoxha.

Presim rekomandim pozitiv nga KE-ja

Zëri: Komisioni Evropian pritet që gjatë këtij muaji ta publikojë raportin mbi përmbushjen e kriterit të fundit për liberalizimin e vizave - luftës ndaj krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Çfarë prisni nga ky raport dhe a keni informacion se kur saktësisht do të bëhet publik ky rekomandim?

Hoxha: Presim gjithsesi vlerësim pozitiv dhe vijim të procedurës për liberalizimin  e vizave, duke kaluar në instancat tjera vendimmarrëse. Gjatë qershorit presim se do të jepet vlerësimi dhe presim t’i përmbajë të arriturat e institucioneve tona të luftës ndaj krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Rastet e shënjestruara në procedura gjyqësore janë gjithsej 43, gjenden në nivele të ndryshme të procedurave dhe konsiderojmë se janë në rrugë të mirë të finalizimit të tyre, në nivele të ndryshme.

Zëri: Ka kritika të shumta nga opozita se nuk është punuar sa duhet drejt përmbushjes së kriterit të fundit. Sa kanë bërë institucionet e Kosovës në këtë drejtim, a është plotësuar ky kriter?

Hoxha: Opozita me kritikat e veta duhet të jetë mbështetëse për dinamizmin e procesit, jo prapakthyese dhe denigruese e çdo të arriture. Çdoherë ka mundësi të bëhet më shumë, edhe bartësit e përgjegjësive institucionale janë përkushtuar maksimalisht për realizimin e këtij kriteri. Rezultatet për arritjen e kriterit janë primare, ndërsa puna jonë nuk do të ndalet as pas liberalizimit të vizave kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Qytetarët janë po aq të interesuar dhe në opinion lansohen qëndrime individuale me ndonjë pakënaqësi, është e mirëkuptueshme sepse qytetarët kanë kufizime dhe këtë nuk e meritojmë. Besoj që me publikimin e rekomandimit nga Komisioni Evropian do të bëhet e qartë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, duke përfshirë kriterin e luftës kundër krimit e të korrupsionit dhe do të jetë edhe më e qartë për qytetarët se institucionet e Republikës së Kosovës i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe tani procesi është në hapat e fundit të vendimmarrjes nga institucionet e BE-së dhe të shteteve anëtare individualisht.

Zëri: Si do të shkojnë procedurat pas publikimit të raportit të KE-së. Sa kohë mund të shkojë derisa të miratohet në institucionet e tjera të BE-së ky raport?

Hoxha: Mund të vlerësojmë vetëm sipas praktikave të deritashme të vendeve aspirante të cilat kanë arritur të realizojnë liberalizimin e vizave. Nga dita e marrjes së sinjalit pozitiv për liberalizim, prej 3 deri në 6 muaj vijon procedura e miratimit në të gjitha institucionet, ku në këtë rast kemi Komisionin Evropian, Parlamentin, si dhe Këshillin, që në këtë rast është Këshilli i përbërë nga ministrat e Brendshëm. Konsideroj se nuk do të duhej të bëheshim përjashtim, në situatën kur kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.

Vendet mike, në anën tonë

Zëri: A jeni duke punuar me shtetet që janë skeptike sa i përket liberalizimit për Kosovën dhe a është lobuar mjaftueshëm për të siguruar mbështetjen në Parlamentin Evropian dhe në Këshill?

Hoxha: Lobimi është proces po aq i rëndësishëm gati sa edhe përmbushja e kritereve. Prandaj kemi vizita edhe nga unë si ministre e Integrimit që kemi pasur përgjegjësinë kryesore në këtë proces, por kemi parë edhe nga Kuvendi respektivisht nga kryetari i Kuvendit Veseli, si dhe nga deputetë të ndryshëm. Vendet mike gjithashtu, të dëshmuara tradicionalisht, janë në anën tonë në këtë proces jetik të qytetarëve tanë. Presim përkrahje edhe nga faktori i brendshëm i atyre shteteve, i diplomacisë, si dhe i deputetëve në Parlamentin Evropian. Brukseli është shumë pozitiv ndaj kërkesës sonë, por detyrat tona duhet t’i zbatojmë vetë. Lobimi është bërë dhe vazhdon të bëhet në të gjitha nivelet, nga aleatët tanë në BE, por edhe nga institutet ndërkombëtare që merren me politikat strategjike dhe me promovimin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën nuk e pengojnë liberalizimin

Zëri: Pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet a paraqesin ndonjë pengesë në procesin e liberalizimit?

Hoxha: Jo, pesë shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit tonë nuk do të mundë ta pengojnë as liberalizimin e as procesin tonë integrues. Nëse do të mundë ta pengonin ose të shfaqnin orientime penguese deri më tani do të shfaqnin pengesa. Duhet të theksojmë se këto vende e kanë përkrahur deri më tani Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe disa nga këto vende kanë qenë shumë pragmatike e përkrahëse, prandaj nuk presim që do të mohonin lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, e drejtë kjo themelore e mohuar qe sa vite. Liberalizimi i vizave ishte çështje kryekëput e lidhur me funksionimin e brendshëm të shtetit tonë dhe ne këto kritere i kemi përmbushur, 95 sosh që i kemi pranuar në Udhërrëfyesin në vitin 2012, pra të gjitha janë të realizuara, andaj nuk shoh këtu pengesa nga vendet që nuk e njohin pavarësinë e vendit tonë.

Zëri: Dihet se zotimet që do të ketë liberalizim kanë nisur tashmë e një dekadë gati. Kur sipas jush do të përmbyllet ky proces, pra të ndodhë përfundimisht liberalizimi?

Hoxha: Ju e dini se shtetndërtimi nuk është proces aq i lehtë që zgjidhet me formula magjike. Ne kemi shpallur pavarësinë më 2008-n, kohë kjo që shënon kthesën objektive të zbatimit të detyrave tona për liberalizim dhe për procesin integrues. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur këtë ecuri. Ne nuk mund të lavdërohemi për lehtësimin e procesit nga fqinjët tanë, përkundrazi. Çështjet që shtetet tjera nuk i kanë pasur në rrugëtimin e tyre ne i kemi ende pengesë. Puna jonë gjithëpërfshirëse, përkushtimi dhe gatishmëria janë dëshmi se liberalizimi i vizave duhet dhe do të ndodhë sivjet.

Veprimet që parashihen me ERA-n përfundojnë deri në shtator

Zëri: Keni thënë ditë më parë se Agjenda e Reformave Evropiane, ERA, do të vazhdojë dhe se do të ketë zhvillime konkrete në këtë drejtim. Çfarë zhvillimesh do të ketë dhe kur do të implemetohet në tërësi kjo agjendë?

Hoxha: Agjenda e Reformave Evropiane është agjendë gjithëpërfshirëse institucionale, që prek çdo fushë të veprimtarisë në vendin tonë, është hapësira përgatitore për të qenë pjesë e vlerave evropiane duke dhënë edhe kontributin tonë në këtë drejtim. Aty janë të përfshira të gjitha reformat që vendin tonë e bëjnë pjesë të vlerave dhe të përgjegjësive të BE-së, në rend të parë është fuqizimi i sundimit të ligjit, reformat ekonomike dhe ngritja e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Kjo agjendë bën përcaktimin e prioriteteve për përmbushjen e obligimeve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Objektiv parësor është prioritizimi i fushave në kuadër të MSA-së dhe zbatimi i aktiviteteve konkrete për përmbushjen e tyre. ERA bazohet në prioritetin kyç të Qeverisë së Republikës së Kosovës – integrimin në BE, është gjithashtu në përputhje me Programin e Qeverisë, Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së dhe me Reformat Ekonomike. Për këtë qëllim janë dakorduar prioritete afatshkurtra në tri fusha: qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, konkurrueshmërisë dhe klimës së investimeve, si dhe arsimit dhe punësimit, prandaj qëllimi ynë si Qeveri është që të gjitha veprimet të cilat parashihen me ERA-n të përfundojnë deri në shtator të këtij viti.