Dy raste të reja të sëmundjes së malaries paraqiten në Kosovë

Aktuale June 18, 2018 - 17:46
Detajet

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologjike dhe grumbullimit të rasteve për periudhën e pasluftës në Kosovë (1999-2018) ka raportuar gjithsej shtatë raste me Malarie, dy prej të cilave në vitin 2018.

Të dyja rastet janë të importuara nga shtetasit tanë të cilët në shtetet e Afrikës qëndrojnë për kohë të caktuar (Kongo dhe Nigeria).

Situata epidemiologjike me malaria në Kosovën e pasluftës karakterizohet me paraqitje të herë pas hershme të rasteve sporadike. Malaria është sëmundje ngjitëse, obligative transmisive, që për nga dekursi klinik mund të jetë akute apo kronike, thuhet në njoftimin e dërguar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Malaria ka shtrirje të gjerë gjeografike me koncentrim në zonat tropikale, subtropikale dhe ato me klimë të butë (kontinenti i Afrikës dhe Amerikës latine).

Më shumë se një miliardë njerëz jetojnë në regjionet malarike, miliona prej tyre janë të infektuar dhe një numër i konsiderueshëm vdes nga sëmundja. Malaria shkaktohet nga protozoa e gjakut e gjinisë Plazmodium.

Njihen rreth 50 lloje të plazmodiumeve ku 4 prej tyre janë patogjene për njeriun; a. Plazmodium malarie b. Plazmodium vivax c. Plazmodium falciparum d. Plazmodium ovale. Sëmundja e malarjes është e përhapur në zonat tropikale, subtropikale dhe ato me klimë të butë. Më shumë se një miliardë njerëz jetojnë në regjionet malarike, miliona prej tyre janë të infektuar dhe një numër i madh vdes nga sëmundja. Pas pickimit të mushkonjës duhet të kalojë 7 deri 14 ditë për tu shfaqur shenjat e sëmundjes te njeriu. Sëmundja shfaqet me ethe të forta e me të dridhura, të cilat e zënë njeriun herë pas here zakonisht në mbrëmje.

Pastaj shfaqet temperaturë e lartë 39-40ºC, djersitje, fytyrë të skuqur, mundim, vjellje, kokëdhembje dhe shpejtim të pulsit. Te fëmijët sëmundja mund të shoqërohet me konvulzione për shkak të temperaturave të larta. I sëmuri i cili nuk mjekohet me kohë mund të bartë sëmundjen me gjakun e tij deri në tri vjet. Sëmundja bartet përmes gjakut të infektuar me transfuzion. Sëmundja mjekohet me barna kundër malarjes të cilët shkatrrojnë parazitët e malarjes në gjakun e njeriut të sëmurë.