Shkalla e papunësisë në Kosovë 26.5%

Aktuale June 18, 2018 - 17:39
Detajet

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore, ku ka dal që shkalla e papunësisë në Kosovë është 26.5%, shkruan “Zëri.info”.

Sipas ASK-së anketa ka pasur shtrirje në 598 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 531 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011.

LEXO EDHE: Ja sa studentë ka gjithsej Kosova

Tutje në këtë publikim thuhet se, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune dhe se në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 39.2%.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2018 është 28.8%.

LEXO EDHE: Këta janë emrat më të shpeshtë të fëmijëve në Kosovë

Punësimi më i lartë është te meshkujt (45.5%), ndërsa punësimi te femrat është 11.8%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 51.2% të tyre. Ndërsa, meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe të prodhimit, me 42.4%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.2%; ndërtimtaria me 11.7%; arsimi me 11.5%, si dhe prodhimi me 10.1%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 18.9% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 81.1% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2018, shkalla e papunësisë është 26.5%.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 28.7%, krahasuar me meshkujt, 25.9%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 54.0%.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2018, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 60.8%, me fokus të veçantë te femrat me 83.4%, krahasuar me meshkujt, 38.6%. /ZËRI