Këta janë emrat më të shpeshtë të fëmijëve në Kosovë

Aktuale June 18, 2018 - 16:33
Detajet

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Lindjeve në Kosovë për vitin 2017, e ku në këto statistika janë treguar edhe emrat më të shpeshtë të foshnjave në Kosovë, transmeton “Zëri.info”.

Sipas statistikave emri  më i shpeshtë për vajza gjatë vitit 2017 ishte emri Sara dhe Jara ndërsa për djemtë ishte Ajan dhe Noar.

“Emri me frekuencë më të madhe (më i shpeshtë) për vitin 2017 për vajza ishte emri Sara (148 raste), Jara (141 raste), etj. Ndërsa, emri më i shpeshtë për djem ishte: Ajan (246 raste) dhe Noar (226 raste)”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Sipas AKS- së të dhënat në këtë publikim janë paraqitur sipas bazës së grumbullimit të të dhënave administrative për vitin 2017, nga zyret e gjendjeve civile, ku janë grumbulluar gjithsej 30 275 fleta statistikore për lindje DEM-1.

Këto të dhëna tregojnë se 23 563 raste janë lindje brenda territorit të Kosovës, prej tyre lindje të gjalla janë 23 402, kurse 161 janë lindje të vdekura. Ndërsa, 6 712 raste janë lindje jashtë territorit të Kosovës.

Koeficienti i vitalitetit është 2.7 (raporti ndërmjet lindjeve të gjalla dhe vdekjeve). Koeficienti i maskulinitetit është 111.2. Koeficienti i lindjeve të vdekura (shkalla e të lindurve të vdekur) në 1000 të lindur ishte 6.9 promil (Lindjet në Kosovë).

Në institucionet mjekësore janë kryer 99.8% të lindjeve, ndërsa pjesa tjetër ka ndodhur në vend tjetër.

Numri më i madh i nënave, që kanë lindur fëmijë, është i grup-moshave: 25-29 vjeçare, me 36.1%; 30-34 vjeçare, me 25.6%; 20-24 vjeçare, me 20.7%; dhe grup-moshat e tjera përbëjnë 17.7% të numrit të përgjithshëm të lindjeve.

Mosha mesatare e femrave, që kanë lindur fëmijë në vitin 2017, ishte 29 vjeç.        

Në vitin 2017, 37.8% e nënave kanë lindur fëmijën e parë; 31.8% e nënave kanë lindur fëmijën e dytë; dhe 19.7% e nënave fëmijën e tretë, e kështu me radhë.

Sipas peshës së fëmijës së lindur, në institucionet shëndetësore numri më i madh i foshnjave ishte me peshë 3 000-3 499 gr. ose 37.3% e foshnjave; 3 500-3 999 gr. ose 31.5% e foshnjave, 2 500 –

2 999 gr. ose 13.6% e foshnjave, etj. Foshnjat e lindura gjallë, me peshë më të vogël se 1000 gr. përbëjnë vetëm 0.2%.

Për fëmijët e lindur jashtë institucionit mjekësor, sipas metodologjisë së hulumtimit nuk kërkohen të dhënat për peshën e tyre.

Bineq u lindën 654 foshnje, ndërsa treneq e më shumë  u lindën 21 foshnje.

Sipas përgatitjes shkollore të nënave, dominojnë nënat me shkollë të mesme, me 40.1%; nënat me shkollë fillore, me 27.4%; nënat me shkollë të lartë dhe me fakultet marrin pjesë me 25.2%, etj. /ZËRI