Filloi procesi i ratifikimit të marrëveshjes mes Shkupit dhe Athinës

Aktuale June 18, 2018 - 15:38
Lexoni më shumë detaje

Propozim-Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes për çështjen e emrit ka kaluar në qeveri e cila me yllin evropian, e ka dorëzuar në procedurë urgjente për ratifikim në Kuvend.

“Në seancën e sotme të rregullt, të 74-të, Qeveria e RM-së shqyrtoi dhe miratoi Propozim-Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurisë së OKB-së, përfundimit të Marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995 dhe vendosjes së partneritetit strategjik mes palëve, me propozim të Ministrisë për Punë të Jashtme”, njoftojnë nga Qeveria e RM-së.

Nga kabineti i Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi informojnë se pasi Ligji për ratifikim të arrijë në Kuvend, do të vendoset se si do të rrjedhë procesi i mëtejshëm, respektivisht se në cilin komision do të shqyrtohet dhe kur do të jetë para deputetëve për votim.

Deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski pretendon se komision amë që duhet ta shqyrtojë propozim-ligjin duhet të jetë Komisioni për Politikë të Jashtme, me të cilën kryeson ai vetë.

Por Milloshkoski dyshon se në këtë rast rregullat mund të shkelen.

Nga ana tjetër, nga Komisioni për Çështje Evropiane, në krye me Artan Grubin e BDI-së thonë se për shkak të yllit evropian, propozim-ligji bie në kompetencë të tyre.

Gjithsesi, që Propozim-ligji për ratifikim të marrëveshjes për emrin të kalojë në Kuvend është e nevojshme shumicë e thjeshtë, respektivisht minimum 61 deputetë të jenë prezent, prej të cilëve së paku 40 do të duhet të votojnë “pro”.

Sipas procedurës, pas ratifikimit marrëveshja dërgohet për nënshkrim te shefi i shtetit, Gjorge Ivanov i cili ka afat 7 ditë që ta nënshkruajë.

Nëse Ivanov përdor të drejtën e vetos suspensive, Ligji për ratifikim kthehet në Kuvend.

Nëse në procedurën e përsëritur votohet me së paku 61 vota, Ivanov është i obliguar ta nënshkruajë.

Megjithatë bazuar në paralajmërimin e Ivanovit se në asnjë rast nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen dhe duke e pasur parasysh përvojën me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili në mungesë të firmës së Ivanovit akoma nuk ka marrë epilog mbetet e pasiguritë se çfarë do të ndodhë me këtë marrëveshje, që pritet të zhbllokojë rrugën euro-atlantike të vendit. /AlsatM/