Musliu: Vendi i sigurt, veriu mbetet sfidë

Aktuale June 18, 2018 - 11:17
Lexoni më shumë detaje

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shpend Maxhuni sot ka raportuar para komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, raporton zeri.info

Nënkryetarja e këtij Komisioni, Ganimete Musliu pas këtij takimi ka deklaruar se për dëbimin e shtetasve turq nga Kosova nuk ka ende asgjë të re derisa siç tha ajo Komisioni hetimor i themeluar për këtë çështje të i jap epilog.

“Sa i përket rastit të shtetasve turq është themeluar një Komision hetimor dhe deri në epilogun që do ta jap ai Komision nuk mund të themi asgjë”, ka thënë ajo, raporton “Zeri.info”.

Musliu tha se sipas raportimit të Maxhunit gjendja e sigurisë në vend është e qetë duke përjashtuar këtu veriun e Kosovës ku tha se kjo pjesë e Kosovës vazhdon të jetë sfidë për vendin.

“Ne sot kemi folur për gjendjen e përgjithshme në AKI dhe gjendjen e sigurisë në vend. Raportimi ishte në nivelin e duhur dhe mund të konstatojmë se gjendja e sigurisë është e qetë jo më e qeta në rajon, por vazhdon të jetë qetë....Ne jemi duke bërë vizita edhe nëpër regjion dhe javën e kaluar ishim në Mitrovicë aty mbeten ende rrethanat e njëjta pasi që problematika e veriut vazhdon ta sfidojë vendin tonë”, tha Musliu.

Ajo ka kërkuar që të ketë më shumë bashkëpunim mes Komisionit dhe AKI-së.

“Kemi pasur problem me AKI-në ne si Komision dhe kjo ishte kërkesa e Komisionit sot që të kemi një komunikim të mirëfilltë”, tha ajo, raporton “Zeri.info”.

Ajo ka komentuar edhe emërimin e Maxhunit në këtë pozitë dhe tha se gjithçka është bërë konform rregullave dhe nuk ka asnjë problem pse ai ka qenë më herët drejtor i policisë. /ZËRI/