Serbia ‘kushtëzon’ vazhdimin e dialogut me formimin e Asociacionit

Aktuale June 17, 2018 - 19:10
Mësoni më shumë shumë detaje

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun ka thënë sot se ekzistojnë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas tij, në njërën anë qëndrojnë shtetet përendimore që mbështesin pavarësinë e Kosovës, ndërsa në anën tjetër qëndron Serbia dhe shtetet të cilat siç thotë ai, i përkrahin interesat e Beogradit, transmeton lajmi.net.

“Pjesa e cila përkrah pavarësinë e Kosovës, mendon se realiteti që ata mbështesin është fundi i të gjithave, dhe se asgjë mbi statusin e Kosovës nuk mund të diskutohet. Sipas tyre, Serbia duhet ta pranojë këtë realitet dhe të sillet si shtet fqinj ndaj Kosovës”, u shpreh Drecun.

LEXO EDHE: Kadastri në mbikëqyrje të plotë të “Zajednicës”

Mirëpo përsëri, Drecun thotë se Serbia ka një këndvështrim krejt tjetër të kësaj situate.

Sipas Drecun, nëse Serbia do të pranonte këto siç i quan ai, veprime dhe realitete të njëanshme, atëherë kjo do të dërgonte në një konflikt të ri në Ballkan.

Ai foli edhe për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, për të cilin tha se kjo gjë varet edhe nga pala kosovare si dhe implementimi i marrëveshjeve paraprake.

“Serbia është e gatshme për vazhdimin e dialogut, mirëpo kjo varet edhe nga pala tjetër. Ne duam ta vazhdojmë procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, mirëpo ajo se çfarë është arritur deri më tani duhet të implementohet, dhe kjo lidhet menjëherë me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, sepse është e pakuptimë të diskutohet më tutje”, u shpreh Drecun.

Ndryshe, pala kosovare vazhdimisht ka akuzuar palën serbe se e vetmja temë për të cilën këta të fundit po dëshirojnë të bisedojnë është Asociacioni dhe asgjë tjetër, madje as implementimi i marrëveshjeve paraprake.