Smajl Latifi flet për imamin që kërkoi nga hoxhallarët të mos e varrosin babain e kryeministrit

Aktuale June 17, 2018 - 16:21
Lexoni më shumë detaje

Smajl Latifi, Kryetar i Rahovecit, i ka bërë thirrje Prokurorisë të arrestojë imamin e xhamisë së Fortesës, Bedri Bytyçi, i cili bëri thirrje hoxhallarëve të mos shkojnë na varrimin e Hilmi Haradinajt.

E këto thirrje të imamit po cilësohen si raciste nga kreu i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Në një deklaratë për Gazetën Express, kreu i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është treguar i ashpër ndaj deklaratave të imamit.

Ai ka thënë se është e paimagjinueshme se si një imam mund të përdorë gjuhë të urrejtjes ndaj personave të cilët kanë dhënë shumë për Kosovën.

Thirrjet e Bedri Bytyqit, imam në fshatin Fortesë, kreu i Rahovecit i ka quajtur fashiste dhe raciste.

“Ato thirrje përveç që janë fashiste janë edhe thirrje raciste. Të paimagjinueshme nga logjika e shëndoshë e njerëzve normal që kanë vuajtur për këtë vend, i kanë dhënë njerëz këtij vendi. Këtyre thirrjeve raciste, fashiste të këtij imani, që aksidentalisht ka shërbye në fshatin Fortesë së komunës së Rahovecit, besoj që nuk është e mjaftueshme t’iu përgjigjen me një përzënie që ia kanë bërë përfaqësuesit e fshatit”, thotë Latifi për Express.

Bedri Bytyqi, imam i një xhamie në Rahovec  para pak orëve  ka shkelur të gjitha rregullat e Bashkësisë Islame kur ka dhënë vlerësime se në ceremoninë e varrimit të babait të Ramush Haradinajt nuk duhet të shkojnë hoxhallarët.

Statusin, pas pak minutave ky imam i ka fshirë e më vonë e ka mbyllur edhe llogarinë në Facebook.

Ndërkohë, kryetari i Rahovecit ka deklaruar se prokuroria e shtetit duhet që të nisë hetime lidhur me gjuhën e përdorur nga imami i këtij fshati.

“Nuk janë të mjaftueshme as distancimet e Bashkësisë Islame të Kosovës. Por mendoj që organet e shtetit duhet të lëshojnë flet-arrest për këta individ që përodrin gjuhë raciste”, thotë ai.

Ndërkohë, Latifi deklaron se ka informacione nga bashkëfshatarët se Bedri Bytyqi është përzënë nga pozita e imamit të fshatit Fortesë. Pyetur nëse e ka njohur më herët imamin, Latifi jep një përgjigje interesante.

“As që kam dëshirë me e njoftë. Mua më informuan që fshatarët e kanë përzënë nga fshati këtë person. Unë iu kërkojë organeve të shtetit që të merren me këtë rast”, thotë ai.