Dy vëllezërit e Beg Rizajt i shkojnë në kullë Ramush Haradinajt

Aktuale June 16, 2018 - 22:38
Lexo detajet

Pas incidentit që ndodhi sot gjatë zbulimit të shtatores së Beg Rizajt në Deçan, ku u raportuar se Ali Rizaj (vëllai i Beg Rizajt) nuk ka dashur të lejojë askë ta zbulojë shtatoren, ka reaguar vëllai tjetër Ramiz Rizaj.

Ky i fundit  ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook, se nuk ka ndodhur asgjë, por se sipas tij mediat janë munduar t`i japin konotacion tjetër asaj çfarë ka ndodhur sot gjatë zbulimit të shtatores së vëllait të tij të vrarë në Kumanovë më 2015-të, Beg Rizaj.

"Nganjëherë në ngjarje të mëdha ndodhin keqkuptime për të cilat unë si kryefamiljar i familjes Riza kërkoj falje për një lëshim që na ndodhi në manifestimin e sotëm..!!" 

Ai ka postuar edhe një fotografi ku shihen së bashku me Haradinaj në kullë, por aty mungon Ali Riza.  Në këtë foto shihen dy vëllezërit e tjerë dhe kryeministri.

Rizaj në postimin e tij ka shkruar se asnjëherë nuk do të ndodhë që familja e tij të ketë ndonjë paqartësi me siç e ka quajtur ai ‘Heroin e gjallë të Shqiptarisë, Kryeministrin e Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj’.

"Shumë gojëkëqij dhe media fatkeqësisht u munduan ta përshkruajnë si incident me Kryeministrin, por jo Kurrë, Kurrë s`ka ndodhë as nuk ndodhë që familja jonë të ketë ndonjë paqartësi apo kundërshtim ndaj Heroit të gjallë të Shqiptarisë, Kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj..!! #Gjithmonë me ty Nderi i Kombit#", ka përfunduar ai. 

Kurse, Kryeministri Ramush Haradinaj në një postim në Facebook ka thënë se ndërhyrja e tij ka qenë në funksion të qetësimit të situatës, për të ruajtur figurën e luftëtarit të lirisë.

“Sot, në 19-vjetorin e çlirimit të Deçanit përkujtuam flijimin për liri të luftëtarëve nga e gjithë shqiptaria. Më këtë rast, disa media kanë spekuluar, se ka pasur reagime të vëllait të Beg Rizajt drejtuar ndaj meje. I siguroj qytetarët e Deçanit dhe publikun e gjerë, se mosmarrëveshja nuk kishte të bënte asgjë me mua. Ndërhyrja ime ishte në funksion të qetësimit të situatës, për të ruajtur figurën e luftëtarit tonë të lirisë”, ka shkruar ai.Image