Limaj: Skenderajn e hoqa nga lloçi. Reagojnë nga PDK në këtë komunë!

Aktuale June 16, 2018 - 22:02
Lexo detajet

Kryetari i Nisma Socialdemokrate Fatmir Limaj, sot gjatë hapjes së punimeve në degën e Nisma-s në Skenderaj, ka kujtuar kohën kur ka qenë ministër i transportit e edhe asfaltet që i ka shtruar në fshatrat e Skenderajt gjatë kohës sa ishte pjesë e PDK-së.

Pas deklaratave të Limajt se shumë fshatra në Skenderaj i hoqi nga lloçi e të tjerët morën vota nga meritat e tij vjen reagimi i PDK-së në këtë qytet.

Fadil Nura nga PDK në Skenderaj, tha së Limaj i ka harruar disa gjëra të rëndësishëme nga ajo kohë, shkruan “Zëri.Info”.

Sipas tij, Limaj në atë kohë në krah të PDK-së ka marrë më shumë vota në Skenderaj se sa në vendlindjen e tij.

“Fatmiri për fat të keq, perpara kesaj “ mburrje” paska harruar dy gjëra më të rëndesishme të asaj kohe;

E para, se nën çatinë e PDK- së në Skenderaj ka marrë vota tre fishë më shumë se në Malisheven e tij, dhe E dyta, se ka qenë vetem njëri nga ministrat e Kryeministrit, Thaqi !”, ka shkruar Nura.

Më poshtë lexojeni edhe deklaraten e Fatmir Limajt në Skenderaj sot:

“Unë ndihem mirë që jam në Skenderaj në një qytet dhe një komunë, që kur kam ardh në qeverisje në 2007-en, si ministër i Transportit, 97 për qind e fshatrave të Skenderajt kanë qenë në lloq. Dhe kur kam dalë në 2008-en, 98 për qind të fshatrave të Skenderajt kanë qenë të asfaltuara. Ka shumë që kanë marrë vota me këto punët e rrugëve masanej…s’ka gajle. Po jemi ardh sepse kemi pasur një vizion të zhvillimit të vendit tonë, jo për vetë, po për Kosovën.  Këtu kam qindra bashkëluftëtarë, shokë, që kemi nda pjesët më të vështira të jetës tonë dhe jemi krenarë. Nuk ka fshat dhe pjesë të kësaj ane në të cilën nuk kemi vepruar e bashkëvepruar me shokë të tanë, vizioni ynë atëherë ka qenë çlirimi i Kosovës, zhvillimi i Kosovës, dhe jo i një komunë dhe i një fshati, jo një krahine”, ka thënë Limaj.