Breshëri që ka rënë në Rahovec ka dëmtuar bujqit e kësaj ane

Aktuale June 15, 2018 - 20:16

Që nga fillimi i pranverës, Durmish Gashi, së bashku me familjen 10-anëtarëshe nga Fshati Fortesë i Komunës së Rahovecit, kishte nisur mbjelljen e tokës. Për mbjelljen e 15 hektarëve tokë iu deshën afër 30 mijë euro investime, 15 për kultivimin e produkteve bujqësore e 14 mijë euro për pagesën e tokës që e ka me qira.

Por, breshëri që ra gjatë së enjtes, e dëmtoi pothuajse pjesën më të madhe të të mbjellave.

Ai tregon se nuk kanë më shumë para për të investuar në diçka tjetër, në mënyre që t’i mbulojnë shpenzimet.

Breshëri përfshiu edhe tokën e Ymer Zhuniqit, që kishte mbjellë 1 hektar me speca.
Kultivimi i specave është biznes familjar, me të cilin merret gjatë tërë verës dhe siguron të ardhura për tërë vitin. 

Bujqit kërkojnë që të përdoret sistemi i kohës së Jugosllavisë për shpërndarjen e reve, në mënyrë që dëmet të mos marrin përmasa të tilla pothuajse çdo vit. 
Në Drejtorinë e Bujqësisë njoftojnë se breshëri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, pos Fshatit Fortesë edhe në Sapniq, Gexhe, Krushë e Madhe, Celinë e Brestoc.

“Kryetari i komunës e ka formuar shtabin për menaxhimin e krizës së krijuar nga reshjet e mëdha të shiut dhe breshrit dhe tërë ekipi ka qenë në terren gjatë tërë natës, duke u dalë në ndihmë qytetarëve. Vlerësimet do të bëhen pasi të formohet komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në ditën e parë të punës”, ka thënë Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Rahovecit.

Ata tregojnë se për kompensim të dëmeve do të kërkojnë ndihmë nga Qeveria e Kosovës, meqë komuna nuk ka buxhet për raste të tilla.