EULEX: Janë dhënë 648 vendime gjyqësore

Aktuale June 14, 2018 - 14:57
Lexo detajet

Mbi 1 miliard e 60 milionë euro i ka kushtuar Bashkimit Evropian qëndrimi dhjetëvjeçar i Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Pavarësisht kësaj vlerësohet se ky mision ka dështuar në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Nga e premtja EULEX-i nuk do të ketë mision ekzekutiv, shkruan "Zëri.info". 

Zyra për Informim në EULEX ka thënë për gazetën “Zëri” se gjatë një dekade të qëndrimit në Kosovë ky mision ka krijuar trashëgimi në fushën e drejtësisë. Sipas kësaj zyre, në këtë periudhë janë dhënë 648 vendime gjyqësore nga gjyqtarët e EULEX-it.

“Gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit EULEX-i ka krijuar një trashëgimi të dukshme në Kosovë me shumë arritje që janë të dukshme, siç është pra ekzekutivi në të cilin gjyqtarët e misionit kanë dhënë më se 648 vendime gjyqësore, duke përfshirë këtu 479 vendime në raste të krimeve të rënda si korrupsioni, krimi i organizuar, krimet e luftës, trafikimi i qenieve njerëzore, etj”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.  

Po ashtu bëhet e ditur se janë marrë 149 vendime gjyqësore në rastet civile, 42 mijë vendime nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe shumë vendime gjyqësore nga Paneli i Ankesave i Agjencisë Kosovare të Pronës.

Sa i përket stafit të EULEX-it, ky numër ka ndryshuar përgjatë viteve duke filluar me 2,649 persona përderisa tani misioni numëron 800 persona, duke përfshirë këtu stafin vendor dhe atë ndërkombëtar. /Zëri/