Hoti: Qytetarët e Kosovës nuk do ta falin këtë kastë qeverisëse

Aktuale June 13, 2018 - 15:06
Lexoni më shumë detaje

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar për disa nga parregullsitë që po ndodhin në qeverinë Haradinaj, Kuvendin e  Kosovës si dhe në Presidencë, ndërsa për koalicionin qeverisës tha së është jofunksional, përcjell “Zëri.Info”.

Hoti përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’, po ashtu ka thënë se Kuvendi I Kosovës është shndërruar në një arenë përplasjësh që sipas tij janë të kota, e që këto qytetarët e Kosovës nuk do ti falin.

Lexojeni më poshtë statusin e tij të plotë:

“Koalicioni qeverisës i ‘vendimeve të mëdha’ është jo funksional, por mbahet në këmbë sepse interesat e partnerëve janë të mëdha. Këto interesa po realizohen përmes buxhetit të shtetit, i cili është kthyer në plaçkë përmes vendimeve jo ligjore të Qeverisë. Mbledhjet e Qeverisë mbahen për të marrë vendime për realizimin e interesave specifike të partnerëve të koalicionit. Nëse nuk harmonizohen interesat para mbledhjes së Qeverisë, atëherë ministrat e asaj partie nuk marrin pjesë në mbledhje.

Partneri i koalicionit nga komuniteti serb nuk e përfill Kryeministrin. Ministrat e këtij partneri nuk marrin pjesë në mbledhje të Qeverisë dhe në Kuvend, por në zyrë shkojnë çdo ditë. Interesat e tyre po i realizojnë me taksat e qytetarëve të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës është bërë arenë përplasjesh të kota. Menaxhimi katastrofal i seancave dhe trupave të Kuvendit e ka paralizuar këtë institucion. Kuvendi sot nuk e kryen detyrën e vet kushtetuese si mbikëqyrës i punës së Qeverisë. Kryeministri dhe ministrat nuk paraqiten në raportim.

Presidenti i vendit e ka bllokuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga data 27 mars 2018, duke mos emëruar anëtarët e ri, siç e parasheh kushtetuta dhe ligji për zgjedhjet e përgjithshme.

Qytetarët e Kosovës nuk do ta falin këtë kastë qeverisëse. Na duhet mbështetje e madhe qytetare për të bërë hequr qafe përgjithmonë këtë klasë politike që po vjedh të ardhmen e gjeneratës së ardhshme”.