Të thirret seancë e jashtëzakonshme për dialogun

Aktuale June 13, 2018 - 12:32
Lexo detajet

Faza finale e bisedimeve me Serbinë po del të jetë më problematikja. Partitë opozitare, por edhe nga koalicioni qeverisës nuk po e pranojnë presidentin Hashim Thaçi për kryenegociator me shtetin fqinj. Pritet që dialogu të vazhdojë pa miratimin e Kuvendit të Kosovës, shkruan "Zëri". 

Jeta Krasniqi, nga KDI-ja, ka thënë që Kuvendi duhet të jetë epiqendra e zhvillimit të dialogut në këtë fazë, si dhe sipas saj, duhet që sa më parë të krijohet konsensus për këtë çështje mes partive politike.

“Partitë duhet sa më parë ta thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth së ardhmes së dialogut Kosovë - Serbi dhe platformës së shtetit të Kosovës në këto bisedime. Kuvendi duhet të jetë epiqendra e këtyre diskutimeve dhe partitë parlamentare nuk duhet të hezitojnë që ta diskutojnë këtë çështje, duke prezantuar qëndrimet e tyre dhe duke tentuar ndërtimin e një qëndrimi të përbashkët të palës kosovare në këto bisedime”, ka thënë ajo për "Zërin".

Krasniqi konsideron se konsensusi politik ka të bëjë me dakordimin e pikave për dialog, me qëllim që t’i jepet një epilog këtij procesi.

“Formati i shtetit të Kosovës në këto bisedime duhet të dakordohet nga partitë politike në vend, të cilat me anë të ndërtimit të konsensusit politik përcaktojnë ekipin negociues, përgjegjësitë e institucioneve, temat e diskutimit, afatet kohore dhe mbi të gjitha pritshmërinë e shtetit të Kosovës mbi këtë proces, pra epilogun”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa sipas Krasniqit, platforma e Qeverisë për dialogun u refuzua për vetë faktin që nuk kishte miratimin e partive të tjera para se të formohej.

“Qeveria e Kosovës duhet ta luajë rolin e saj duke ia prezantuar Kuvendit propozimet e saja për këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin. U pa qartazi që kjo platformë nuk gjeti mbështetje nga një pjesë e gjerë e spektrit politik, pasi edhe mënyra sesi kjo platformë u përpilua në mungesë të një konsensusi të partive politike. Kjo platformë dëshmoi qartazi nevojën e ndërtimit të konsensusit politik të partive politike në vend për këtë çështje”, ka theksuar ajo, shkruan më tutje "Zëri". 

Në anën tjetër, drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq, ka deklaruar se formati përfundimtar i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm për një kompromis të mundshëm.

“Forma, vendi dhe pjesëmarrësit janë më pak të rëndësishëm sesa thelbi i dialogut”, tha Gjuriq në një konferencë për medie, kur u pyet nëse formati i bisedimeve mund të ndryshojë. /Zëri/