Pacolli: Beogradi s’ka kursyer asgjë për t’ia tërhequr njohjet Kosovës

Aktuale June 12, 2018 - 13:28
Detajet

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka vlerësuar se njohja e shtetit të Kosovës nga vendet e tjera vazhdon të mbetet një proces tejet i vështirë, raporton "Zëri.info"

Duke raportuar para komisionit për Punë të Jashtme, Pacolli ka thënë se MPJ është duke punuar me intensitet të lartë në këtë drejtim.

“Republika e Kosovës është e njohur prej 116 vendesh. Është proces i vështirë, pasi që Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Kosova nuk paraqet ndonjë interes ekonomik apo strategjik prandaj njohjet gjithnjë mbesin sfidë. Por, ju garantoj se jemi duke harxhuar shumë energji në ruajtjen e këtyre njohjeve. Procesi i njohjeve është i vështirë, nuk është i lehtë. Por ne nuk ndalemi”, ka deklaruar ai.

Shefi i diplomacisë kosovare tutje, ka thënë se Serbia është duke punuar tejet shumë për ta dëmtuar procesin e njohjeve ndaj Kosovës.

“Beogradi nuk ka kursyer asgjë, ata kanë në dispozicion edhe mjete financiare dhe staf të përforcuar dhe synim kanë tërheqjet e njohjeve ndaj Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, gjersa ka folur për disa shtete që ishte raportuar se kishin tërhequr njohjen ndaj Kosovës, Pacolli ka thënë se Kosova ia ka dalë t’i kthejë dhe t’i ruajë ato njohje, pavarësisht asaj që ishte thënë fillimisht.

“Ju kujtohet Guinea Bissau, ishte një shtet që kishte tërhequr njohjen dhe ne kemi punuar shumë, ndodhi ajo që ndodhi, kryeministri u largua atje dhe presidenti lëshoi një notë të re verbale. Njëjtë ka ndodhur edhe me Burundin”, ka shtuar ai. /Zeri