Limaj falënderon NATO-n që i doli në krah luftës së drejtë të UÇK-së

Aktuale June 12, 2018 - 12:51
Lexoni më shumë detaje

Kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka shkruar në llogarinë e tij në ‘Facebook’, në Ditën e Çlirimit të vendit.

Limaj ndër të tjera ka shkruar se Luftës së Drejtë të UÇK-së, 19 vite me parë i dolën në krah forcat e NATO-s.

Qytetarët e Kosovës, thotë Limaj se do t’i jenë përherë falënderues miqve ndërkombëtarë, në krye me SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Kosovës.

“Në ditën e çlirimit të Kosovës, ne sot kujtojmë mundin e sakrificën e njerëzve të këtij vendit, të cilët me dekada e shekuj janë përpjekur për të realizuar këtë ëndërr, e cila vjen si rezultat i kontribut shekullor të shumë gjeneratave”, ka shkruar ndër të tjera Limaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’.

Postimi i plotë i Limajt:

Luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 19 vjet më parë, i dolën në krah forcat e NATO-s, të cilat pas 78 ditë bombardimesh mbi caqet serbe, hynë në Kosovë për t'i dhënë fund masakrave, gjenocidit serb dhe spastrimit etnik që po bëhej mbi qytetarët e Kosovës nga forcat serbe. 

Qytetarët e Kosovës do t'i jenë përherë mirënjohës botës demokratike, në krye me SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin Kosovës nëpër të gjitha fazat që po kalon vendi ynë. 

Në ditën e çlirimit të Kosovës, ne sot kujtojmë mundin e sakrificën e njerëzve të këtij vendit, të cilët me dekada e shekuj janë përpjekur për ta realizuar këtë ëndërr, e cila erdhi si rezultat i kontribut shekullor të shumë gjeneratave. 

Gjenerata jonë është me fat që arriti ta kurorëzojë ëndrrën shekullore për ta pasur shtetin tonë të lirë dhe demokratik. 

Në këto 19 vjet të çlirimit, ne kemi arritur suksese të mëdha, por kjo nuk është e mjaftueshme.

Ne të gjithë bashkë duhet të punojmë fort që ta forcojmë vendin tonë, ta zhvillojmë ekonominë e vendit, ta rrisim mirëqenien e qytetarëve dhe Kosovën ta bëjmë anëtare të organizatave më të mëdha botërore.