Ushtria, përmes ligjit

Aktuale June 12, 2018 - 08:21
Lexoni më shumë detaje

Qeveria e Kosovës e konsideron si të pamundur transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura pasi Lista Serbe nuk e ka ndërmend të ndërrojë qëndrim sa u përket ndryshimeve kushtetuese, prandaj ekzekutivi i vendit vlerëson se mënyra e vetme për formimin e ushtrisë është ndryshimi i ligjeve që kanë të bëjnë me mandatin e FSK-së, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka quajtur gati të pamundur mundësinë e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura.

Ai gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se do të jetë e pamundur sigurimi i votave të deputetëve serbë për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, prandaj ka thënë se do të detyrohen që ushtrinë ta bëjnë përmes ndryshimeve të ligjeve.

LEXO EDHE: KE-ja vazhdon vlerësimin e kriterit të fundit për vizat

Në anën tjetër, edhe nga Ministria e FKS-së kanë deklaruar për gazetën Zëri se janë duke u konsultuar me partnerët ndërkombëtarë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Mirëpo njohësit e çështjeve politike kanë deklaruar se s’do të ketë formë tjetër të bërjes së ushtrisë përveç ndryshimeve kushtetuese.

Sipas tyre, bërja e ushtrisë do të jetë rezultat i kompromiseve në këmbim të Asociacionit.

Në anën tjetër, opozita në vend po e cilëson të paaftë Qeverinë aktuale për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Haradinaj: Ndryshimi i Kushtetutës, i pamundur

Shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese po duket i pamundur për shkak të refuzimit të Listës Serbe.

“Mandatimi përmes bazës kushtetuese si opsion është gati si i pamundur, sepse kërkon votën e dy të tretave të serbëve, duke qenë kështu është e vështirë të kalkulohet që e kemi këtë votë. Në një moment të caktuar do të jemi të detyruar ta mandatojmë ushtrinë e Kosovës me ligj”, ka thënë ai.

Haradinaj më tutje tha se Kosova duhet ta përmbyllë këtë çështje sa më shpejt dhe se ushtria e Kosovës nuk e rrezikon aspak Serbinë.

“Nëse Kosova e përmbyll dhe e mandaton ushtrinë në mandatin e vet fuqiplotë e ndihmon sigurinë rajonale. Nuk paraqet rrezik ushtria jonë për Serbinë. Çështja e ushtrisë nuk ka të ndalur, Kosova do ta mandatojë ushtrinë e vet, këtë jua garantoj”, përfundoi Haradinaj. 

Ndërkohë, Qeveria tashmë Projektligjin për Transformimin e FSK-së në FAK e ka kthyer në Ministrinë e FSK-së për t’u bërë disa ndryshime. Zëvendësministri në Ministrinë e FSK-së, Burim Ramadani, i kontaktuar nga gazeta “Zëri” nuk ka treguar nëse këto ndryshime janë bërë ose se kur do të rikthehet në Qeveri ky projektligj. Mirëpo Ramadani tha se tash për tash janë duke u konsultuar me ndërkombëtarët për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Ai la të kuptohet se institucionet kosovare po tentojnë ta bindin palën ndërkombëtare që çështja e ushtrisë të zgjidhet me ndryshime ligjore, në mënyrë që zgjidhja e kësaj çështjeje të mos varet nga Lista Serbe. 

“E gjitha çfarë mund të ju them është se ne jemi në konsultime të brendshme edhe me partnerët ndërkombëtarë. Gjithçka është në fazë të konsultimeve. Nuk është çështje teknike, është çështje e vendimmarrjes dhe vendimmarrja është çështje e koordinimit”, ka thënë Ramadani duke mos dashur të komentojë më tutje për Projektligjin në fjalë.  

Vulin: Ushtria e Kosovës nuk do të formohet

Serbët nuk e mbështesin formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe as s’do ta formojnë ushtrinë e Kosovës dhe jo vetëm sepse është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kështu ka deklaruar ministri i Mbrojtjes së Serbisë Aleksandar Vulin gjatë ditës së djeshme, duke komentuar deklaratën e kryeministrit të vendit Ramush Haradinajt, i cili ka thënë se Kosova do ta formojë ushtrinë këtë vit dhe për këtë ka mbështetje nga serbët në Kosovë.

“Nuk do të formohet dhe natyrisht që nuk do ta kenë mbështetjen e serbëve për këtë. Ata u përpoqën, por nuk janë shtet, as nuk kanë akademi ushtarake”, tha Vulin.

Opozita: Kjo Qeveri, e paaftë ta krijojë ushtrinë

Ndërkaq deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Drita Millaku, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, ka thënë se të gjitha çështjet për të cilat është biseduar me palën serbe janë bërë pa strategji nga ana e Kosovës.

Ajo tha se për këtë arsye Kosova i ka humbur hapat për ta zgjidhur çështjen e ushtrisë. 

Millaku tha se koordinimi i duhur me ndërkombëtarët e në veçanti me SHBA-në mund të sjellë zgjidhjen, por ajo tha se këtë zgjidhje s’mund ta bëjë Qeveria aktuale. 

“Kjo mendoj nuk mund të arrihet nga partitë politike të pozitës për shkak të mungesës së ekspertizës intelektuale dhe për shkak të së kaluarës së dyshimtë korruptive dhe kriminale, gjë e cila i vë në pozita të pabarabarta dhe lehtësisht shantazhohen për të lëshuar pe në shumë çështje, të cilat pala serbe do të mundohet t’i përfitojë në këmbim të ushtrisë për Kosovën. Kjo Qeveri është e paaftë ta krijojë ushtrinë”, ka thënë ajo.

Mushkolaj: S’do të ketë ushtri pa ndryshime kushtetuese

Njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj konsideron që çështja e ushtrisë nuk do të marrë epilog shpejt.

Sipas tij, s’mund të bëhet ushtria pa u zgjidhur çështja e Asociacionit. Pasi të votohet Asociacioni, siç ka thënë ai, do të ketë kompromis me palën serbe për bërjen e ushtrisë. 

“Nuk pres që ushtria të krijohet pa u zgjidhur çështja e Asociacionit, kështu që kurdo që janë të nevojshme të bëhen ndryshimet e nevojshme për Asociacionin e do të jenë të nevojshme për ta bërë Asociacionin brenda Kushtetutës së Kosovës, atëherë do të arrihet një lloj kompromisi që të votohet edhe ushtria nga përfaqësuesit e pakicës serbe”, tha Mushkolaj.  

Sipas tij, dërgimi i Projektligjit për Ushtrinë herë në Ministrinë e FSK-së e herë në Qeveri po bëhet vetëm për efekte politike.

Ai më tutje tha se bërja e ushtrisë me ndryshime ligjore nuk është zgjidhja e duhur, pasi sipas tij ndërkombëtarët nuk do ta mbështesin një gjë të tillë.

“Me ndryshime ligjore nuk janë të interesuar partnerët ndërkombëtarë që e mbështesin transformimin e FSK-së në ushtri, kështu që unë nuk besoj që kjo është zgjidhja e duhur. Do të duhen domosdo ndryshimet kushtetuese, të cilat nuk do të ndodhin shpejt, por kur të ndodhin do të shfrytëzohet rasti edhe për ndryshime të tjera kushtetuese, në mesin e tyre edhe ushtria”, ka thënë ai.