KE-ja vazhdon vlerësimin e kriterit të fundit për vizat

Aktuale June 12, 2018 - 08:00
Lexoni më shumë detaje

Zyrtarë të Komisionit Evropian kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se vlerësimi për kriterin e fundit për liberalizim të vizave, përkatësisht për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit është duke vazhduar ende

Muaji qershor pritet ta përcaktojë përfundimisht fatin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Kah fundi i këtij muaji pritet që Komisioni Evropian (KE) ta publikojë rekomandimin lidhur me atë se sa është përmbushur kriteri i fundit për viza, lufta ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ekspertët e procesit të integrimit konsiderojnë se vlerësimi do të jetë pozitiv dhe se procesi i liberalizimit mund të finalizohet përgjatë këtij viti.

LEXO EDHE: Ministrave u 'lulëzon' biznesi

Njëjtë shpresojnë edhe krerët institucionalë, të cilët thonë se Kosova tashmë ka dorëzuar të gjitha të dhënat te zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) për punët që janë kryer rreth këtij procesi.

Ndërkaq zyrtarë nga KE-ja kanë thënë për gazetën se vlerësimi i kriterit të fundit është duke vazhduar ende në këtë institucion.

Ndërkohë, është bërë e ditur se në momentin që do të plotësohen të gjitha kushtet Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian do ta miratojnë edhe formalisht rekomandimin e KE-së.

Mirëpo, përfaqësuesit e opozitës konsiderojnë se krerët institucionalë në Kosovë janë duke manipuluar me opinionin, duke ofruar vazhdimisht data se kur do të mundë të ndodhë liberalizimi.

KE: Vlerësimi i kriterit të fundit është duke vazhduar ende

Të pyetur rreth rekomandimit për liberalizimin e vizave, nga Zyra për Informim e Komisionit Evropian kanë deklaruar se vlerësimi për kriterin e fundit për viza nuk ka përfunduar akoma, porse ai është ende në proces e sipër.

“Ndonëse Kosova ka përmbushur standardet për ratifikimin e Marrëveshjes për Vendimmarrjen e Kufirit me Malin e Zi, vlerësimi i procesverbalit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është duke vazhduar ende”, thuhet në përgjigjen e KE-së dhënë “Zërit”.

E tek pasi të plotësohen të gjitha kushtet, sipas KE-së, propozimi i Komisionit duhet të miratohet formalisht edhe nga dy institucionet e tjera: Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrive.

Ndërkohë, teksa ka folur rreth liberalizimit të vizave, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova tashmë ka dorëzuar një raport preciz të asaj që është punuar për këtë proces.

“Duhet t’i kryejmë punët e shtëpisë, t’i raportojmë punët e kryera. Në fakt ne kemi dhënë raportimin në bazë të afatit kohor të paraparë. E kemi dhënë një raport preciz të asaj që ka ndodhur”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme Haradinaj duke iu referuar të dhënave që institucionet e Kosovës ua kishin dorëzuar zyrtarëve të BE-së rreth punës së bërë për përmbushjen e kriterit të fundit.

Kurse ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha para pak ditësh është shprehur e vendosur se rekomandimi i dalë nga Komisioni Evropian do të jetë pozitiv për Kosovën. Në një bisedë për “Zërin” Hoxha ishte shprehur optimiste se liberalizimi do të përmbyllej brenda këtij viti.

Nagavci: Krerët institucionalë po manipulojnë me data

Pavarësisht kësaj, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci ka vlerësuar se publiku është manipuluar gjatë tërë kohës nga udhëheqësit e vendit sa i përket liberalizimit të vizave.

“Vazhdimisht është bërë manipulim me qytetarët, sepse zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë përmendur datë, ndërkaq zyrtarët tanë këtu vazhdimisht po përmendin data. Fillimisht ishte dhënë qershori, ndonëse nuk kemi pasur asnjë deklaratë të zyrtarëve të BE-së që kjo është data. Tash u pa që nuk është as qershori”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Duke folur rreth kriterit të fundit për liberalizimin e vizave, Nagavci ka konsideruar se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të vazhdojë edhe më tej. 

Rashiti: Pres që rekomandimi të jetë pozitiv

Për dallim prej saj, Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika, është shprehur optimist se rekomandimi i Komisionit Evropian lidhur me përmbushjen e kriterit të fundit për viza do të jetë pozitiv.

“Rekomandimi besoj se do të jetë pozitiv në aspektin e progresit që ka bërë Kosova në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në lidhje me raportin e fundit të publikuar në vitin 2016. Besoj që opinioni i Komisionit do të jepet formalisht dhe pastaj të fillojnë procedurat e tjera prej Komisionit deri te Parlamenti e Këshilli”, është shprehur ai.  

Ndonëse vendimi për heqjen e vizave do të jetë politik, sipas Rashitit ka ende shtete të cilat kanë rezerva sa i përket liberalizimit për Kosovën.

“Hungaria e Belgjika janë disa shtete që kanë rezerva, por hapësira është pozitive. Të shohim si po trajtohet, por ky nuk është shpërblim i BE-së për Kosovën. Por besoj që deri në fund të vitit do të merret vendim pozitiv”, është shprehur ai.   

Lushaku: Edhe nëse rekomandimi i KE-së është pozitiv ekzistojnë sërish disa pikëpyetje

Por edhe po që se rekomandimi i KE-së është pozitiv, sipas Jehona Lushakut, njohëse e procesit të integrimit, ekzistojnë disa opsione të cilat mund t’i shtyjnë dy institucionet e tjera të BE-së që të mos marrin vendim për heqjen e vizave.

“Nëse raporti është pozitiv pres që të dyja institucionet e tjera ta miratojnë gjithashtu vendimin. Edhe pse ka disa variabla që munden ta shtyjnë Këshillin e Ministrave e Parlamentin që të mos marrin vendim për shkak se ka zgjedhje vitin e ardhshëm dhe të gjitha partitë brenda Parlamentit Evropian kalkulojnë në fushata zgjedhore dhe ndikimin që mund të ketë ky vendim në fushatën e tyre në vitin e ardhshëm”, ka deklaruar ajo.

Pos kësaj, sipas Lushakut, ka edhe të atilla shtete që ende nuk kanë ndonjë vendim se si të veprojnë sa i përket çështjes së liberalizimit për Kosovën.

“Janë disa shtete që kalkulojnë se mund të ketë migracion. Kështu që janë disa pikëpyetje edhe nëse raporti do të jetë pozitiv, por kjo tashmë varet edhe prej disponimit të shteteve që kanë peshë më së shumti në votim. Për shembull shtetet si Gjermania dhe Franca, që kanë territor dhe banorë më shumë, kanë edhe peshën e votës më të madhe brenda Këshillit të Ministrave. Është me rëndësi që shtetet me territor dhe me numër më të madh të banorëve të jenë për liberalizim. Ashtu mund të arrijmë që të kemi një vendim pozitiv”, ka shtuar ajo.

Tërë kjo, sipas Lushakut, mund të ndodhë tek në muajin e ardhshëm, ndërkohë që implementimi të bëhet në vitin që vjen.

“Kjo mund të ndodhë gjatë korrikut dhe implementimi mund të jetë prej janarit 2019. Ky është versioni më optimist i mundshëm”, ka nënvizuar ajo.