Ministri Ismaili nënshkruan kontratën kolektive: 45 për qind rritje për kujdestaritë e të gjithë profesionistëve shëndetësor

Aktuale June 11, 2018 - 16:49
Lexo detajet

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nënshkruar kontratën kolektive sektoriale me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, transmeton “Zëri.info

Nënshkrimi i kontratës kolektive ka ardhur pas një pune dhe diskutimi me përfaqësuesit e Sindikatës dhe ka për qëllim avancimin e të drejtave dhe beneficioneve të punëtorëve shëndetësorë.

Një nga të arriturat kryesore të kësaj kontrate, është se me të është arritur që mjekëve specialistë t’u paguhen kujdestaritë me rritje prej 45%, varësisht nga dita e punës.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se kjo është një kontratë shumë e rëndësishme për punëtorët shëndetësorë, e cila realizon dhe avancon të drejtat e tyre.

“Me këtë kontratë kolektive kemi arritur që ndër të tjera mjekëve specialistë t’u paguhen kujdestaritë me rritje prej 45%, varësisht nga dita e punës, kurse për të gjithë punëtorët kemi rritje prej 15% në pagesën e kujdestarive”, ka thënë ministri Ismaili, duke shtuar: “Për një kohë shumë të gjatë, mirëqenia dhe të drejtat e profesionistëve shëndetësorë janë lënë anash. Tani ka ardhur momenti që ne të bëjmë çfarë është e drejtë për ta. Për herë të parë kjo kontratë përfshin edhe kujdesin parësor. Ndërsa sipas mundësive buxhetore, beneficione do të ketë edhe për ata punonjës të shëndetësisë primare cilët udhëtojnë mbi 5 kilometra nga QMF-të. Presim që në qershor të kalojë në Qeveri Ligji për Pagat dhe kështu të kemi një situatë tërësisht të re për personelin mjekësor”, ka thënë ministri Ismaili.

Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka falënderuar ministrin Ismaili për përkrahjen e madhe në realizimin e kësaj kontrate. Sipas tij, kjo kontratë është më se e denjë për profesionistët shëndetësorë dhe avancon shumë të drejtat dhe beneficionet e tyre.

Kjo rritje e pagesave të kujdestarive do të reflektojë me rastin e rritjes së pagës bazë, siç parashihet me Ligjin për Pagat.

Disa nga beneficionet tjera të kësaj kontrate, janë edhe: kompensim përkatës, qoftë me pagesë apo ditë pushimi për punët që kanë rrezikshmëri të caktuar; avancimin e të drejtave të nënave për kushte të punës gjatë kohës sa ushqejnë fëmijët me gjidhënie; stimulimin e punëtorëve shëndetësorë duke paraparë mundësinë e pagesës së rrogës së; kompensimin për punëtorët që punojnë me 5 kilometra largësi nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në bazë të mundësive buxhetore. etj. /ZERI

 

Image