Veseli merr konfirmimin për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Frankofoni

Aktuale June 11, 2018 - 11:54
Lexoni më shumë detaje

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Jacques Krabal, më të cilin ka biseduar për anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, si dhe zhvillimet aktuale në vendin tonë, raporton “Zeri.info”.

Sekretari i AP të Frankofonisë, Krabal, tha se Kuvendi i Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë dhe dosja është e plotë. Ai bëri të ditur se vendimi pritet të merret së shpejti dhe Kosova pritet të jetë anëtare me të drejta të plota.

“Në hapësirën tonë frankofone objektiv është gjuha edhe kultura, por sfidë është edhe ekonomia, të cilës do t’i qasemi bashkë. Sfide e dytë është demokracia. E përgëzojmë Kosovën për mbrojtjen e Kushtetutës dhe komuniteteve. Kosova ka bërë punë të mrekullueshme në këto 10 vjetët e fundit. Keni bërë punë të mirë në barazinë gjinore dhe duhet të promovoni këtë edhe në Asamble”, theksoi Krabal, raporton “Zeri.info”.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se Asambleja Parlamentare e Frankofonisë është njëra ndër organizatat më mëdha ndërkombëtare dhe shprehu besimin se Kosova shumë shpejt, gjatë muajit të ardhshëm do të jetë anëtare me të drejta të plota.

Veseli e konsideroi shumë të rëndësishëm për Kosovën faktin se ajo tashmë po ecën suksesshëm me anëtarësim nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare.

“Ky është lajm i jashtëzakonshëm. E rëndësishme është se ne po marrim përkrahje të vazhdueshme. Franca po e përkrah Kosovën drejt integrimit evropian. E falënderoj sekretarin Krabal për përkrahjen. Me mbështetjen e këtyre njerëzve po arrijmë të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare. Do të jemi bashkë në të gjitha proceset”, theksoi kryeparlamentari Veseli. /ZËRI/

Image

Image