PAN-i dhe Thaçi e mbajnë të bllokuar KQZ-në

Aktuale June 11, 2018 - 08:53
Mësoni më shumë shumë detaje

Koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) ende nuk ia ka propozuar presidentit emrat e dy kandidatëve për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa presidenti ende nuk ka emëruar as kandidatët e propozuar nga subjektet e tjera politike, duke e lënë KQZ-në jofunksionale tash e katër muaj, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon të mbetet jofunksional tash e katër muaj për shkak të mosemërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së nga ana e presidentit Hashim Thaçi.

Për dallim prej subjekteve të tjera politike, koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) ende nuk i ka propozuar emrat e dy përfaqësuesve në KQZ, kjo po bën që presidenti të mos i emërojë anëtarët e rinj të KQZ-së.

LEXO EDHE: 18 mijë kandidatë, për 300 vende pune në Polici

Opozita konsideron se Thaçi po e pret koalicionin PAN, pasi ky koalicion sipas tyre ka mosmarrëveshje se kush do t’i përfaqësojë. Mirëpo një gjë të tillë e kanë mohuar nga koalicioni PAN.

Duke folur për gazetën Zëri, ata thonë se nuk kanë mosmarrëveshje të tilla, por Gjykata Kushtetuese ua ka komplikuar punën duke ua bërë të paqartë se si duhet të veprohet në raste të koalicioneve.

Ndërkohë, nga shoqëria civile thonë se kjo zvarritje po bëhet për qëllime politike e për të blerë kohë.

Opozita: Presidenti po e pret PAN-in

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që sa më shpjet t’i emërojë anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ).

“Presidenti ka bllokuar KQZ-së dhe është hera e parë që ndodh kjo që nga themelimi. Presidenti nuk është duke e kryer detyrën e tij kushtetuese, ku duhet t’i pranojë propozimet nga subjektet politike. Mosfunksionalizimi i KQZ-së ka ndikuar negativisht qe dy muaj në kuvendet komunale. Ne kërkojmë që presidenti t’i emërojë anëtarët e KQZ-së”.

LDK-ja tashmë ka dorëzuar emrat e të nominuarve, që janë Sami Hamiti e Florian Dushi.

Edhe Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili njëherësh është edhe i nominuari i këtij subjekti politik bashkë me Nazlie Balajn si përfaqësues, ka thënë për “Zërin” se zvarritja nga Presidenca për emërimin e anëtarëve të rinj është e pahasur më parë dhe ka kërkuar që presidenti sa më shpejt ta kryejë këtë obligim kushtetues.

“Është papërgjegjësi nga ana e presidentit, i cili e ka obligim kushtetues garantimin e funksionimit të institucioneve”, ka thënë ai.

Rrustemi ka deklaruar se KQZ-ja është duke humbur shumë për faktin që po vazhdon të jetë jofunksional. “Janë shumë projekte të mbështetura nga donatoret e huaj që po rrezikohen, sikurse janë akumuluar rreth 20 kandidatë për asamble, të cilët duhet të zëvendësohen me vendim të Komisionit Qendror”, tha Rrustemi.  

Ai theksoi se kjo çështje po ndikohet politikisht pasi të gjitha subjektet politike përveç koalicionit PAN i kanë dërguar të nominuarit e tyre.

“Është e qartë që po ndikohet politikisht sepse të gjitha subjektet politike, duke përfshirë edhe subjektet e komuniteteve pakicë, kanë dërguar të nominuarit në Presidencë, vetëm PAN-i nuk ka dërguar nominimet që i takojnë dhe nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët brenda këtij koalicioni për t’u përfaqësuar me dy anëtarë në KQZ”, ka përfunduar ai.  

Kuqi: PAN-i s’ka mosmarrëveshje për kandidatë, Gjykata Kushtetuese e ka komplikuar

Ndërkaq sekretari dhe deputeti i AAK-së, Blerim Kuqi, ka thënë për “Zërin” se ende nuk kanë marrë vendim se kush do të jetë përfaqësues i tyre në KQZ, mirëpo tha se koalicioni PAN nuk po e zvarrit çështjen, pasi sipas tij është Gjykata Kushtetuese ajo që e ka komplikuar punën për koalicionet.  

“Nuk është zvarritje brenda koalicionit. Ne zyrtarisht nuk kemi ende ndonjë vendim, së paku jo brenda AAK-së, por mosmarrëveshje nuk kemi sepse edhe Gjykata Kushtetuese kur e ka dhënë e ka komplikuar pak për koalicionet. Ne jemi duke e shqyrtuar, sepse është hera e parë dhe do të shohim se si do ta rregullojmë këtë çështje”, ka thënë ai.

Ai ka mohuar çdo mosmarrëveshje me partnerët e koalicionit derisa u pyet sa a është numri i vogël i përfaqësuesve nga PAN-i shkaktar për këtë zvarritje, pasi të gjithë koalicionit PAN i takojnë vetëm dy përfaqësues.

“Jo, nuk e kemi këtë problem. Ne problem e kemi se qysh të funksionojmë dhe ta rregullojmë për të ardhmen që koalicionet ta kenë të qartë, sepse nuk kemi pasur përvoja të tilla më herët dhe Gjykata Kushtetuese ka dhënë një orientim jo bash të qartë”, ka përfunduar Kuqi.  

Ndërkohë, gazeta ka kontaktuar edhe me ish-përfaqësuesin e PDK-së në KQZ Betim Gjoshin, i cili ka konfirmuar që më nuk do të jetë as i nominuar për këtë pozitë. Gjoshi nuk ka pranuar të komentojë më tutje mbi zvarritjen që po i bëhet emërimit të anëtarëve të KQZ-së.

As Zyra e Presidentit të Kosovës nuk ka pranuar të tregojë kur presidenti do t’i emërojë anëtarët e rinj të KQZ-së me gjithë interesimin që ka pasur gazeta.

Eugen Cakolli: Zvarritja po bëhet për qëllime politike

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se kjo zvarritje po bëhet për qëllime politike pasi koalicionit PAN i takojnë vetëm dy përfaqësues. “Kjo bëhet kryesisht për qëllime politike duke qenë se përbërja e re e KQZ-së do ta tregojë edhe fuqinë e partive politike të dala nga zgjedhjet, pra i gjithë koalicioni PAN do t’i ketë dy anëtarë, ndërkohë herën e kaluar ka pasur tre, nëse i shohim anëtarët e këtij koalicioni”, ka thënë ai.  

Ai ka thënë se e gjithë kjo zvarritje dhe mosdërgimi i emrave nga ana e koalicionit PAN po bëhet vetëm për të blerë kohë, pasi, siç tha ai, shumicën në KQZ tashmë do ta ketë LDK-ja dhe LVV-ja.

Mirëpo siç ka sqaruar, kjo zvarritje dhe lënia e KQZ-së si institucion jofunksional mund të ketë pasoja të mëdha.

“Pasojat që mund t’i sjellë mosemërimi i këtyre anëtarëve janë të shumta, pasi KQZ-ja ende nuk ka arritur ta votojë raportin e saj vjetor financiar dhe nëse vendi do të shkonte në zgjedhje ose do të votohej rrëzimi i Qeverisë, ose shpërbërja e Kuvendit, atëherë nuk do të kishte një institucion i cili do të kishte për detyrë organizimin e të gjithë procesit zgjedhor”, ka vlerësuar Cakolli.