18 mijë kandidatë, për 300 vende pune në Polici

Aktuale June 11, 2018 - 08:42
Mësoni më shumë shumë detaje

Rreth 18 mijë të rinj kanë aplikuar për afër 300 vende pune në Policinë e Kosovës. Pavarësisht se ky konkurs është hapur më 16 prill dhe është mbyllur më datën 10 maj të këtij viti listat e kandidatëve të përzgjedhur për test me shkrim ende nuk janë bërë publike, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Mbi 17 mijë e 600 persona kanë aplikuar për 300 vende pune në Policinë e Kosovës.

Konkursi është mbyllur para një muaji, ndërsa kandidatët e përzgjedhur për testin me shkrim ende nuk janë njoftuar.

Policia e Kosovës këtë vonesë e arsyeton me numrin e madh të aplikuesve, ndërsa aplikuesit frikësohen se konkursi mund të anulohet.

LEXO EDHE: Telekomi në konsultim me ndërkombëtarët për kodin +383

A.R., 23-vjeçar, nga Prishtina, ka bërë të ditur për Zërinse ende nuk ka marrë ndonjë thirrje për konkursin në të cilin ka aplikuar për polic qysh në muajin prill të këtij viti.

“Kam aplikuar për zyrtar policor që nga data 20 prill dhe ende nuk kam marrë përgjigje. Kam pritur që muajin e kaluar do të na thërrasin, nuk e di se pse kaq shumë po vonon ky proces. Vitin e kaluar kam qenë në listë të pritjes dhe përzgjedhja nuk është vonuar kaq shumë”, ka thënë ai.

Duke mos dashur ta bëjë publik emrin, ai ende shpreson që do të marrë përgjigje pozitive nga ky konkurs.

“Pasi që i kam plotësuar kriteret dhe në konkursin e kaluar kam qenë në listë të pritjes, me të vërtetë shpresoj që do të marr përgjigje pozitive. Por duke e ditur që kanë aplikuar shumë persona nuk e di sa kam gjasë”, theksoi ai.

Në anën tjetër R.B., 25-vjeçar, nga Gjilani e i cili qe 4 vjet ka pritur për këtë konkurs, tregon që në fillim ka pritur që listat e kandidatëve të përzgjedhur të dalin më herët, porse  një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

“Posa është hapur konkursi për policë kam aplikuar, ndërsa tani më shumë se një muaj jam duke pritur që të dalin listat e atyre që janë përzgjedhur për të hyrë në teste. Kam pritur që listat do të dalin më herët, por ato janë vonuar shumë. Çdo ditë shikoj në uebfaqen e Policisë se mos ka diçka të re për konkursin, por ende s’ka asgjë”, ka thënë ai.

Mes të tjerash ai theksoi që ka dëgjuar ky konkurs rrezikon të anulohet.

“Ditëve të fundit kam dëgjuar edhe se do të mbyllet ky konkurs, nuk e di nëse është e vërtetë kjo, por shpresoj që nuk do ta mbyllin, sepse qe gati 4 vjet jemi duke pritur që të hapet konkursi. Shpresoj që sa më shpejt të dalin edhe listat dhe të punësohen të gjithë ata që e meritojnë”, ka thënë ai.

PK: Përzgjedhja po vazhdon, 18 mijë kandidatë kanë aplikuar

Zyrtarë nga Policia e Kosovës, të pyetur se deri ku ka mbërritur përzgjedhja e kandidatëve për zyrtarë policorë, për “Zërin” kanë thënë që ende janë në procedurë e sipër, përderisa bëjnë të ditur që numri i kandidatëve që kanë aplikuar për këtë pozitë është rreth 18 mijë.

“Lidhur me pyetjet tuaja rreth konkursit për zyrtarë policorë, ju informojmë se Policia e Kosovës (PK) i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në harmoni të plotë me të gjitha procedurat dhe kriteret e parapara, duke përfshirë edhe transparencën rreth kësaj çështjeje. Pas përfundimit të procedurave dhe shqyrtimit të aplikacioneve nga Komisioni përzgjedhës i themeluar nga PK-ja do të publikohet lista me numrin e kandidatëve që plotësojnë kriteret për të vazhduar me testimet”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Duke e komentuar rrezikimin e anulimit të këtij konkursi, Policia e Kosovës bën të ditur që Komisioni përzgjedhës është duke vazhduar sipas procedurave të parapara, pastaj sipas procedurave ligjore do të vazhdojë me shqyrtimin e ankesave eventuale.

Ndërsa këtë vonesë të shpalljes së kandidatëve të përzgjedhur PK-ja e ka arsyetuar me numrin e madh të aplikuesve.

“Vetëm kandidatët që plotësojnë kriteret e parapara me konkursin e shpallur dhe ata që kalojnë me sukses testimet e parapara mund të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, duke iu referuar numrit të nevojshëm për rekrutim sipas listës meritore. Duke marrë parasysh se ka një numër të madh të kandidatëve, prej 17.619 që kanë aplikuar, edhe procedurat e parapara për këtë proces marrin kohë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Baraliu: Numri i lartë i kandidatëve tregon nivelin e papunësisë në vend

Mazllum Baraliu, njëri nga themeluesit e Akademisë Policore të Kosovës, ka thënë për “Zërin” që numri i lartë i kandidatëve për zyrtarë policorë dëshmon për shkallën e lartë të papunësisë në vend.

“Ky numër flet shumë për shkallën e lartë të papunësisë në Kosovë, po ashtu numri i aplikuesve flet edhe për interesimin e të rinjve tanë që të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, sepse ky është projekti më i suksesshëm i Kosovës, pavarësisht lëshimeve aty-këtu të paraqitura nga segmente të caktuara të këtij shërbimi”, ka thënë Baraliu.

Ai ka arsyetuar zgjatjen e përzgjedhjes së kandidatëve për zyrtarë policorë, pasi që sipas tij proceduarat e përzgjedhjes kërkojnë kohë.

“Numri i kandidatëve është i kufizuar, prandaj procedurat e përzgjedhjes janë procedura që kërkojnë kohë, sepse janë kriteret relativisht të ashpra, gjegjësisht kriteret janë reale për t’u zgjedhur më të mirët dhe është e arsyeshme koha që kërkon procesi i rekrutimit”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, kandidatët e përzgjedhur për zyrtarë policorë pas testit me shkrim duhet t’i kalojnë edhe testet fizike.