Tryeza e katërt mbahet këtë javë, diskutohet për dialogun

Aktuale June 11, 2018 - 08:03
Mësoni më shumë shumë detaje

Partitë politike pritet të mblidhen sërish në një tryezë të përbashkët, e cila pritet të mbahet gjatë kësaj jave, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Tryeza e cila do të organizohet nga Partia Socialdemokrate (PSD) si temë të vetme diskutimi do ta ketë çështjen e dialogut me Serbinë.

Kështu kanë bërë të ditur përfaqësuesit e këtij subjekti për Zërin, të cilët megjithëkëtë kanë thënë se ende nuk është vendosur për datën e saktë se kur do të mbahet tryeza në fjalë.

LEXO EDHE: Serwer: Për ulësen e Kosovës në OKB vendos Moska, jo Beogradi

Por përderisa nga Lëvizja Vetëvendosje shprehen skeptikë nëse takimet e tilla do të sjellin rezultate, zyrtarët e partive në pushtet konsiderojnë se mund të arrihet një konsensus i gjerë rreth dialogut po që se lihen anash interesat personale e partiake.

Sipas tyre, është tejet me rëndësi që partitë politike të ulen dhe të diskutojnë rreth procesit të dialogut, proces ky i cili kishte filluar para shtatë vjetësh.

Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e shoqërisë civile vlerësojnë se tryezat e tilla mes partive më shumë po shërbejnë për konsum ditor sesa për dakordim rreth çështjeve nacionale.

PSD-ja udhëheq tryezën e radhës, LVV-ja skeptike se do të sjellë rezultat

Se dialogu do të jetë tema që do të diskutohet në tryezën që do ta thërrasë shumë shpejt PSD-ja e ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij subjekti Shkodran Hoti, i cili ka thënë se ende nuk është caktuar dita se kur do të mbahet kjo tryezë. 

“Me shumë gjasë tryeza do të thirret për këtë javën që po vjen. Data dhe ora e saktë s’është caktuar ende, pasi që jemi duke e shikuar edhe orarin e seancave parlamentare që të mos jenë në të njëjtën kohë. Tema e tryezës do të jetë çështja e dialogut me Serbinë”, ka deklaruar Hoti për “Zërin”.

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka thënë se LVV-ja ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë apo jo në tryezën e PSD-së. “Së pari, nuk kemi marrë vendim nëse do të marrim pjesë ose jo. Por meqë kemi marrë në disa mund të marrim pjesë. Por nuk pritet diçka e rëndësishme. Tryezat fillohen me idenë që të merret vesh, sidomos opozita, që të caktohet një datë e zgjedhjeve ose të kërkohen zgjedhjet e parakohshme. Për një gjë të tillë po shihet që nuk janë të gatshme as LDK-ja, as subjekti që do ta organizojë tryezën e ardhshme”, ka theksuar ai.

Megjithëkëtë, sipas Kurteshit, është shumë me rëndësi që të tentohet të gjendet një gjuhë e përbashkët sa i përket dialogut me Serbinë. Porse është shprehur skeptik nëse mund të arrihet një konsensus i gjerë.

Haxhiu: Është tejet me rëndësi të diskutohet për dialogun

Për dallim prej tij, deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu është shprehur e bindur se mund të arrihet një konsensus mes partive sa u përket negociatave me Serbinë po që se lihen anash interesat personale.

“Jam shumë e sigurt që kjo do të arrihet vetëm nëse subjektet politike vendosin interesin e shtetit para interesave tona individuale ose partiake. Mendimi im është që ekipi që do të jetë në atë dialog do të duhej të ishte 60 për qind nga opozita”, ka potencuar ajo. 

Sipas saj, është shumë e rëndësishme që të vazhdojë dakordimi mes partive politike  ashtu siç kishte qenë në dy tryezat e para.

Andaj Haxhiu ka konsideruar se është tejet e nevojshme që partitë politike të ulen dhe të diskutojnë për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Alija: Tryezat nuk do të prodhojnë asgjë

Duke folur rreth tryezës që pritet të organizohet këtë javë, Rasim Alija, hulumtues në organizatën “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka thënë se sikurse nga tryezat e kaluara as këtë herë nuk do të ketë ndonjë zhvillim pozitiv.

“Absolutisht asgjë nuk kanë prodhuar dhe nuk do të prodhojnë këto tryeza. Më shumë kanë shërbyer për të prodhuar lajme për konsum ditor sesa dakordim për çështjet që kanë pasur qëllim këto tryeza”, ka potencuar Alija.

Kjo, siç ka thënë ai, mund të matet lehtë edhe me dokumentet që kanë dalë nga këto tryeza.

“Asnjë dokument i vetëm ku listohen rekomandime ose adresojnë e trajtojnë bashkërisht çështjet nuk ka dalë si produkt nga këto tryeza”, ka përfunduar Alija.