Thaçi: Në momentet më të vështira, Fadil Vokrri i qëndroi besnik Kosovës

Aktuale June 10, 2018 - 12:58
Detajet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e varrimit të Fadil Vokrrit e ka kujtuar atë si njërin ndër personalitetet kyçe që ka kontribuar për Kosovën si brenda ashtu edhe jashtë saj, shkruan “Zëri.info”.

Ai këto gjëra i shprehi përmes një postimi në rrjetin  tij social “Facebook”, ku ndër të tjerash tha se Vokrri është më meritori për anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA.

Ky është postimi i plotë i Thaçit në Facebook:

Kam takuar shumë personalitete që bartnin epitetin e legjendës në fushën ku kishin kontribuar, në Kosovë dhe jashtë saj. Por, edhe ndër këta dallohej Fadil Vokrri. E njoha para tri dekadash, nga tribunat e fushave të futbollit ku impresionoheshim me mjeshtëritë e tij me topin, në vitet e tij të arta si futbollist. Çdo familje shqiptare jetonte me emrin e tij. Fëmijët jetonin me ëndrrën që të bëheshin “Fadila”. Bota vraponte ta merrte për ekipet e veta, jashtë Prishtinës. Por, edhe në momentet më të rënda, më të vështira, i mbeti besnik Kosovës. Golat e tij ishin gëzimi ynë sportiv dhe krenaria jonë kombëtare. Daljet e tij të rralla huq në fushë ishin dëshpërim për të gjithë ne. Fadili vazhdoi të shënonte për Kosovën edhe jashtë fushës. Shënimet e tij kryesore ishin anëtarësimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA. Do t’i jemi përherë mirënjohës për çdo gjë që ka bërë për Kosovën./ ZERI