Kuvendi përsëri pa kuorum, dështon votimi i rezolutave

Aktuale June 09, 2018 - 07:57

 

Në seancën e djeshme përpos interpelancës së Haradinajt në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar nëpër institucione, në rend dite kishte edhe dy interpelanca të tjera të Haradinajt, ajo në lidhje me situatën dhe me gjendjen financiare në ndërmarrjet publike, të Telekomit dhe të Postës së Kosovës, dhe në lidhje me vendimet e ministrit të Bujqësisë Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante e subvencione, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në përtalljen e tij të djeshme me deputetët e Kosovës ka thënë se Kosova nuk është ajo që ka qenë kur e ka marrë drejtimin e Qeverisë, sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Sipas tij, punën që po e bëjnë ndaj këtyre fenomeneve tregon se Kosova e tanishme dallon me atë që ishte para marrjes së qeverisjes. “Gjendja në rend dhe ligj nuk është e kënaqshme në Kosovë, kjo gjendje është sfidë për Kosovën, veçanërisht luftimi i llojeve të ndryshme të krimit dhe të korrupsionit.

Rezultat i kësaj fokusimi ka shkuar kryesisht për t’i ndihmuar institucioneve të rendit dhe të ligjit që t’i ushtrojnë funksionet e veta në bazë të mandatit të tyre kushtetues e ligjor”, ka thënë Haradinaj. Mirëpo, sipas tij, Kosova në krahasim me vendet e tjera të rajonit është shumë më mirë në raport me sundim të ligjit. “Që ta rifitoj në tërësi fuqinë e tyre kushtetuese e ligjore të punojnë të pandikuar dhe të papenguar nga askush, mund t’u them se treguesi i asaj që po ndodh në rend dhe në ligj dallon nga kohërat e mëhershme. Nuk them se Kosova i ka zgjedhur problemet e korrupsionit dhe se mund të mburremi me vendet e tjera, por në raport me gjendjen e marrë dhe këtë kohë bëhet fjalë për një Kosovë tjetër, nuk është e njëjta”, ka thënë Haradinaj.

Pacolli kërkon dorëheqjen e kryeministrit, reagon Haradinaj

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në seancën e djeshme, në të cilën po diskutohej për korrupsionin nga zyrtarë të lartë të institucioneve, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Ajo si iniciuese e interpelancës për kryeministrin rreth korrupsionit në institucione dhe për zyrtarët e lartë të Kosovës theksoi se kreu i ekzekutivit nuk mund t’i ndalë presionet mbi institucionet e drejtësisë.

“Presioni që bëtë mbi Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e vendimit për rritjen e pagave për zyrtarët e lartë publikë, duke përfshirë edhe pagën tënde kryeministër, vendosjen e Nijazi Thaçit në krye të KEK-ut, mosshkarkimin e ministrave Besim Beqaj dhe Pal Lekaj që kanë aktakuzë të ngritur e sidomos vendimin që morët për t’ia paguar ‘Bechtel’-it 53 milionë eurot pa kërkuar fare përgjegjësi”, ka thënë Pacolli. Ajo duke përmendur problemet e Kosovës në përgjithësi ka thënë edhe se gjëja më e mirë që Haradinaj mund të bëjë është të japë dorëheqje. “Përderisa nuk kemi barëra esenciale dhe shumë qytetarë po jetojnë në varfëri ekstreme dhe nuk kemi as çerdhe të mjaftueshme për fëmijët e këtij vendi.

Nëse nuk mund ta frenosh veten dhe këtë Qeveri nga ndërhyrjet dhe çështjet që u përkasin institucioneve të drejtësisë, vendimin më të mirë që mund ta marrësh për këtë vend dhe për qytetarët e këtij vendi është të dorëhiqesh kryeministër”, ka thënë Pacolli.

Ajo mes tjerash e pyeti kryeministrin Haradinaj se nëse po gënjen ai ose Bashkimi Evropian pasi, sipas saj, nuk përputhen fjalët e tij me të BE-së. Kryeministri Haradinaj me këtë rast i është përgjigjur deputetes Pacolli duke thënë që të vetmit të cilët po gënjejnë janë ajo dhe njerëzit afër saj. “Ndoshta as unë e as Bashkimi Evropian nuk po gënjejmë, por po gënjeni ju. Nuk përjashtohet mundësia që ju po gënjeni. Nëse për dy po thuhet cili po gënjen, atëherë edhe ju jeni palë dhe mund të ndodhë që ju po gënjeni”, ka thënë Haradinaj.  Ai ka thënë se edhe se Kosova shumë shpejt do të marrë raportin pozitiv për vizat dhe me këtë do të vërtetohet se kush nuk po e thotë të vërtetën, ai ose Vetëvendosja.

Kurti krahason qeverinë “Haradinaj” me të Gruevskit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në seancën e djeshme ka thënë që Qeverisë së Kosovës nuk i konvenon anëtarësimi i Kosovës në BE.  “Qeveria është për integrim në Bashkimin Evropian, unë besoj për shkak se jemi shumë larg anëtarësimit në BE. Po të ishim afër anëtarësimit Qeveria do të ishte kundër anëtarësimit, sikur Gruevski dikur në Maqedoni, që ishte kundër anëtarësimit të Maqedonisë në BE. Qeverisë së Kosovës dhe presidentit të Kosovës nuk u konvenon anëtarësimi i Kosovës në BE”, ka thënë Kurti.

Kjo sipas tij sepse anëtarësimi i Kosovës në BE do të ishte lëvizje e Kosovës majtas dhe kah rendi e kah ligji. Ai kishte edhe një pyetje për kryeministrin, gjë që e bëri këtë të fundit të reagojë. “Unë besoj kryeministër se shteti është i kapur. Pyetja ime kryeministër është, a besoni ju që Kosova vazhdon të jetë shtet i kapur, siç keni thënë para dy vjetëve?. Nëse nuk besoni a mund të na jepni datën kur u çkap?”, pyeti Kurti. Me këtë rast reagoi Haradinaj duke i thënë që nuk i lejohet në asnjë formë që Kurti të krahasojë Qeverinë e tij me të Gruevskit, pasi një gjë e tillë është gabim i madh.

Zemaj: Qeveria me rekord të zi në luftën kundër korrupsionit

Deputeti Armend Zemaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kritikuar ashpër institucionet e vendit për mosluftimin e krimit dhe të korrupsionit. Sipas tij, krimi dhe korrupsioni janë dhe mbeten kërcënim për shtetin e së drejtës dhe të sundimit të ligjit në Kosovë. “Sistemi gjyqësor i Kosovës është larg nga përçimi i kërkesave të BE-së për t’i dhënë fund mosndëshkimit të korrupsionet ndaj profilit të lartë dhe nxjerrjes së rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit në tërësi”, ka thënë Zemaj.

Sipas tij, për këtë gjendje është fajtor kryesor koalicioni qeverisës në krye me Haradinajn. “Qeveria ‘Haradinaj’, e përbërë me Kadri Veselin dhe kupolën Hashim Thaçin, mban një rekord të zi në këtë drejtim. Sikurse asnjë qeveri tjetër e pasluftës dhe shumë zyrtarë të lartë ministra, zëvendëskryeministra, zyrtarë publikë janë nën akuza publike nga Prokuroria Speciale dhe nga prokuroritë e tjera themelore”, ka thënë Zemaj.