Kjo është agjenda e vizitës në Austri

Aktuale June 07, 2018 - 10:38
Gazeta 'Zëri' ka siguruar listën me emrat e zyrtarëve që do të marrin pjesë në këto takime, si dhe agjendën zyrtare të vizitës

Kryeparlamentari Kadri Veseli vetë i 30-ti do të qëndrojë sot e nesër në Vjenë të Austrisë për të lobuar për heqjen e vizave për Kosovën. Në këtë vizitë ai do të shoqërohet nga katër zyrtarë të kabinetit të tij, nga tetë deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga ministrat Dardan Gashi dhe Bedri Hamza me tetë bashkëpunëtorë të tyre, si dhe nga kreu i Odës Ekonomike të Kosovës. Gazeta “Zëri” e boton listën me emrat e zyrtarëve që do të marrin pjesë në këto takime, si dhe agjendën zyrtare të vizitës.

Nga kabineti i kryeparlamentarit Kadri Veseli dje pasdite kanë njoftuar se ky i shoqëruar nga deputetë të grupeve parlamentare nga pozita dhe nga opozita do të udhëtojë të enjten për vizitë zyrtare në Austri.

Sipas njoftimit për medie, gjatë qëndrimit në Vjenë kryeparlamentari Kadri Veseli do të pritet në takim të posaçëm nga kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

LEXO EDHE: Nisen 'trimat' për lobim

“Në takim me homologun austriak kryeparlamentari Veseli do të diskutojë për bashkëpunimin ndërshtetëror dhe për procesin e integrimeve evropiane të vendit, me theks të veçantë për procesin e liberalizimit të vizave”.

Gjatë vizitës zyrtare në Vjenë delegacioni i Kuvendit të Kosovës do të zhvillojë takime edhe me kryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Austri - Kosovë, Carmen Jeitler-Cincelli, ndërsa do të pritet në një takim edhe nga Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme i Kuvendit të Austrisë, si dhe takime të tjera me zyrtarë të shtetit austriak, raporton "Zeri.info".

Gjatë vizitës zyrtare në Austri kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe deputetët kosovarë do të marrin pjesë edhe në Forumin Ekonomik Austri – Kosovë, të cilin e ka organizuar Oda Ekonomike Austriake në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Vjenë.

Në këtë Forum Ekonomik, ku do të marrin pjesë qindra biznese austriake dhe ndërkombëtare, do të jenë të pranishëm edhe biznese nga Kosova, ndërsa kryeparlamentari Veseli pritet të ketë një adresim dhe do të flasë për potencialet që ofron Kosova dhe do t’i ftojë bizneset austriake dhe ndërkombëtare që të investojnë në Kosovë. /ZËRI/