Nënshkruhen 114 deputetë, por në seancë morën pjesë vetëm 30

Aktuale June 07, 2018 - 08:16
Lexoni më shumë detaje

Kuvendi i Kosovës ka vazhduar dje seancën me 20 pikat e mbetura nga dita e martë, por në fillim të seancës janë nënshkruar 114 deputetë për mëditje, ndërsa gjatë seancës në sallë ishin vetëm rreth 30 deputetë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kështu në mungesë të kuorumit kanë dështuar të miratohen projektligjet që ishin në rend dite.

Mirëpo kjo gjë ndryshoi në pjesën e dytë të seancës pasi deputetët “u kërcënuan” me heqje të mëditjeve nga nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti.

Haliti ka thënë se nëse deputetët nuk paraqiten për votim në seancë pas pauzës së drekës do t’u hiqet mëditja dhe kështu pas pauzës deputetët u kthyen në sallë dhe votuan projektligjet në rend dite, shkruan më tutje "Zëri".

Në mesin e tyre ishte edhe Projektkodi Penal i Kosovës.

Haliti e Kurteshi përplasen për mëditjet e deputetëve

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti dhe deputeti i Vetëvendosjes Sami Kurteshi në seancën e djeshme janë përplasur për mëditjet e deputetëve.

E gjithë kjo ndodhi kur Haliti u ka thënë deputetëve se në orën 15:30 do të bëhet votimi i të gjitha ligjeve, të cilat shqyrtohen deri atëherë, por do të penalizohen me heqjen e mëditjeve të gjithë ata deputetë që pa arsye nuk vijnë për të votuar.

“Dua t’u paralajmëroj tani që në orën 15:30 është votimi i ligjeve që i kemi shqyrtuar në lexim të parë. Kanë kohë të gjithë deputetët kudo që janë të vijnë. Të gjithë deputetët të cilët pa arsye nuk janë për të votuar autorizoj administratën e Kuvendit t’u hiqen mëditjet. Nuk ka këtu parti, këtu ka Parlament, kush nuk është e ka mëditjen e hequr”, ka thënë Haliti.

Me këtë rast reagoi deputeti i Vetëvendosjes Sami Kurteshi, duke thënë se Haliti këtë që po e bën nuk është në rregull.

Por nënkryetari Xhavit Haliti që po udhëhiqte seancën ka thënë se deputetit Kurteshi duhet t’ju ndalet fjala pasi është jashtë rendit të ditës ajo çfarë ai diskutonte.

Haliti ia ndërpreu fjalën Kurteshit deri kur ky u përplas pa mikrofon me Halitin që e paralajmëroi me përjashtim nga seanca.

“Pak më herët ju deklaruat se gjithë ata që nuk vijnë në orën 15:30 për votim kërkon që të marrin masa... Unë e kam deklaruar dhe i përmbahem asaj, jo, jo mos na trego të drejtat e njeriut, nuk kemi kohë të dëgjojmë përralla tuajat”, i është drejtuar Haliti Kurteshit.

Kalon Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Në këtë seancë me 75 vota për është miratuar pas shqyrtimit Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ganimete Musliu, nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se shpreson që ky ligj do të ndihmojë që të ndërrohet gjendja e rëndë e kompleksit.

“Komisioni e ka shqyrtuar Projektligjin për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’, në parim e kemi mbështetur të gjithë. Ftojmë të gjithë ta votojmë këtë. Shpresoj që ky ligj do të ndihmojë që kompleksi memorial të mos qëndrojë në gjendje siç ka qenë deri më tani”, ka thënë ajo.

Edhe Lutfi Zharku në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka përkrahur po ashtu këtë Projektligj.

“LDK-ja e mirëpret sjelljen e Ligjit për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ dhe do ta përkrahë atë”, ka theksuar ai.

Ndërsa Shemsi Syla, nga Vetëvendosja, ka thënë që ky ligj ka mangësitë e veta.

“Ky ligj ka mangësitë e veta dhe i përngjan asaj që është krijuar nga një presion në publik që ka qenë aktual me muaj të tërë për moskujdesin e kompleksit dhe normalisht që ne mendojmë se duhet të kompletohet, duhet të pasurohet”, ka thënë ai.

Me 68 deputetë në sallë në pjesën e dytë të seancës së djeshme ka kaluar edhe shqyrtimi i parë i Projektkodit Penal të Kosovës.

Po ashtu kaloi edhe shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Transportin Rrugor, si dhe është miratuar raporti vjetor i Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2017.