Të enjten fillon lobimi për liberalizimin e vizave

Aktuale June 05, 2018 - 07:59
Lexoni më shumë detaje

Të enjten (më 7 qershor) një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, do të udhëtojë drejt Austrisë dhe Francës më pas për të lobuar për liberalizimin e vizave për Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Veseli së bashku me përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare do të kërkojnë heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës vetëm pak javë para se të publikohet rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

LEXO EDHE: S’e duan Thaçin kryenegociator

Megjithatë, tani kur jemi vetëm dy ditë para se delegacioni i Kosovës të udhëtojë drejt Austrisë, deputetët thonë se nuk janë të informuar se cilët deputetë do të jenë pjesë e delegacionit lobues.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, përZërinka thënë që nga ky lobim pret rezultate pozitive, pasi përveç liberalizimit të vizave Kosovës i duhet mbështetja edhe për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare.

LEXO PO ASHTU: Lobimet e kota për viza

“Integrimi duhet të jetë i të gjithëve në BE, pra i gjithë rajonit. Nëse kjo çështje është orientim i politikave perëndimore dhe evropiane, atëherë Kosova do ta kalojë këtë proces bashkë me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Haliti.

Në anën tjetër, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje Fatmire Kollçaku ka thënë se nuk janë informuar për vizitat dhe për takimet që do të realizohen në kuadër të lobimit për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Unë personalisht nuk jam e informuar për këtë gjë dhe më habit fakti që krijohen disa delegacione, duke pasur parasysh që është Komisioni për Punë të Jashtme, Komisioni për Integrime Evropiane që edhe me përshkrim të punës e kanë një angazhim në këtë aspekt, kështu që momentalisht nuk jam në dijeni për këtë vendimin të Kuvendit”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Edhe deputetë tjerë kanë thënë se nuk kanë informata për këtë turne të lobimit. Ndërsa pavarësisht interesimit të gazetës për të marrë më shumë informata për këtë çështje, Zyra e kryetarit të Kuvendit dhe as Sekretaria e Kuvendit nuk ka dhënë informata.

Pozitive për këtë iniciativë është shprehur ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, e cila ka thënë për gazetën “Zëri” se lobimi është shumë i rëndësishëm në këtë fazë para dhënies së rekomandimit.

“Lobimi është gjithnjë e më shumë i rëndësishëm, duke qenë se procesi i vendimmarrjes përfshin shumë vende të zonës Schengen, por lobimi është i domosdoshëm e sidomos në këtë fazë kur jemi në prag të marrjes së rekomandimit dhe të votimit. Konsideroj se lobimi i të gjithë përfaqësuesve të institucioneve do ta ndihmojë procesin e vendimmarrjes”, ka deklaruar Hoxha për "Zërin".

Përveç vizitave në Austri e në Francë, Veseli ditë më parë ka thënë se pritet që të vizitojnë edhe Bundestagun gjerman për të kërkuar edhe mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces.