Haradinaj tregon se kur do të anëtarësohet Kosova në INTERPOL

Aktuale June 04, 2018 - 20:52
Ja çfarë ka thënë ai

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë si panelist në Konferencën me temë “Të bashkuar në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm - Partneriteti për sukses", në Tiranë, në të cilin u diskutua për shumë dimensione të luftës për parandalimin e kësaj dukurie të përmasave globale.

Në përbërje të panelit ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov, si dhe princi i Jordanisë, Ghazi bin Muhammad.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se Kosova është pjesë e kombeve euroatlantike, pjesë e koalicionit që e lufton ekstremizmin.

LEXO EDHE: Haradinaj: Kosova kontribuese në stabilitetin rajonal dhe global

Duke folur para ekspertëve të antiterrorizmit, përfaqësuesve të shumtë politikë e fetarë, Haradinaj tha se ideja e ekstremistëve është të përdorin rrjetet të ndryshme, rrjete të bamirësisë apo edhe rrjete tjera fetare dhe fatkeqësisht kanë rekrutuar njerëz brenda rrjeteve në secilin vend, bën të ditur një njoftim nga Kryeministria.

“Kosova është e ndërgjegjshme sa i përket rrezikut të ekstremizmit. Ne si vend i vogël kemi pasur shkuarje në luftëra të huaja, por po ashtu ne kemi parandaluar udhëtimin e disa personave që të shkojnë atje. Problemet dhe lajmet që vijnë nga lufta atje i kanë bërë qytetarët të kuptojnë rrezikun”, tha kryeministri.

Duke qenë se Kosova është shtet i ri, Haradinaj tha se alternativa që kemi është të shohim se familja është e rëndësishme dhe hapi i parë që duhet të merret në parandalimin e ekstremizmit, është ruajtja e familjes.

“Ne mbështetemi shumë në familje sepse ajo është instituti i parë që duhet të veprojë”, tha Haradinaj.

Megjithatë, kryeministri tha se në Kosovë ka ende punë për t’u bërë.

“Duam të jemi një ekip, të bashkëpunojmë dhe shpresoj që çelësi për sukses është bashkëpunimi brenda shtetit, bashkëpunimi në mes të kombeve”, tha Haradinaj.

Ai tha se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se mund të jenë të përdorur nga terroristët, andaj interesi jonë është që të gjithë së bashku të punojmë edhe me organizatat botërore.

Kryeministri theksoi interesimin e Kosovës që në nëntor të bëhet pjesë e Interpolit.

Po ashtu, Haradinaj tha se mizoritë në luftërat e ISIS-it kanë ndihmuar botën që të kuptojë se sa e rrezikshme është kjo ideologji e kamufluar nën petkun fetar, kështu që ndërgjegjësimi tani për tani është shumë i mirë dhe çdo kush është i vetëdijshëm nga rreziku i terrorizmit.