Haziri: Pushteti po çon sinjale negative në Bruksel, LDK po punon për vizat

Aktuale June 04, 2018 - 16:50
Detajet

Pas samitit të Sofjes, në Varshavë të Polonisë, po mbahet takimi i asamblesë politike të Partive Popullore Evropiane, ku Kosova përfaqësohet nga nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri.

Sipas një komunikate të dërguar nga Lidhja Demokratike, kjo parti është angazhuar për çështjen e liberalizimin të vizave edhe pse pushteti, sipas LDK’së, po dërgon sinjale negative.

Komunikata e plotë:

Pas samitit të suksesshëm të Sofjes, në Varshavë të Polonisë, po mbahet takimi i rregullt i asamblesë politike të Partive Popullore Evropiane, ku Kosova përfaqësohet nga nënkryetari i LDK-së, z. Lutfi Haziri.

Sundimi i ligjit, liberalizimi vizave dhe dialogu me fqinjtë - mbetet fokusi kryesor i shteteve evropiane në raport me Kosovën.

LDK, si partia më e madhe në Kosovë dhe si lidere e opozitës, po angazhohet me tërë kapacitetet që Kosova të jetë përfituese në këta mekanizma, si dhe për marrjen e datës për liberalizim, përkundër faktit që partitë qeverisëse po dërgojnë sinjale shumë negative në Bruksel sa i përket përmbushjes së obligimeve.