'Amerika nuk i ka kërkuar zyrtarisht Serbisë ta njohë Kosovën'

Aktuale June 04, 2018 - 10:28
Lexoni më shumë detaje

Aktivitetet e drejtpërdrejta diplomatike duhet të çojnë në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës.

Kështu ka thënë kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun duke shtuar se në ‘lojë’ do të hyjnë shumë propozime të cilat janë presion për Serbinë.

“Tani ka shumë propozime të cilat janë një lloj presioni mbi Serbinë – për të parë se sa mund të jetë maksimumi i kërkesave dhe se çka mund të pranojë Serbia. Mendoj se ne do të ballafaqohemi me shumë informacione të ndryshme në lidhje me letra e propozime, por e gjithë kjo është pjesë integrale e përpjekjeve diplomatike kur është fjala për zgjidhjen e problemeve të vështira siç është Kosova”, është shprehur Drecun, përcjell lajmi.net.

Sipas ‘Novostit’, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka hedhur poshtë një dokument pune lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës i njohur si ‘Pakoja Amerikane’.

Vuçiq ka deklaruar se ky dokument ishte i papranueshëm për Serbinë duke shtuar se nuk don as ta informojë publikun se çfarë kishte në të.

Ndërkohë, Drecun mendon se në Amerikë nuk është praktikë e zakonshme diplomatike dërgimi i letrave dhe renditja e disa kushteve.

Ai ka shtuar se me ose pa ‘pako’, pozicioni i Shteteve të Bashkuara është plotësisht i qartë.

“Ata po na kërkojnë të pranojmë shtetin e vetëshpallur të Kosovës. Nuk kanë kërkuar ende njohje zyrtare, por kërkojnë që ne të mos e kundërshtojmë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara pra të mos ndërhyjmë. Për ne kjo është e papranueshme. Nuk mund të ketë shkëmbim, ne ta pranojmë Kosovën si shtet dhe të mos e kundërshtojmë anëtarësimin në OKB në mënyrë që të themelohet Asociacioni. Kjo nuk është në interes tonin”, ka theksuar Drecun.

Drecun ka shtuar se Serbia nuk do të pranojë kurrë kërkesa të tilla që janë të dëmshme dhe nuk kanë interes për vendin.