Lobimet e kota për viza

Aktuale June 04, 2018 - 07:42
Lexoni më shumë detaje

Pak javë para publikimit të raportit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, një delegacion i Kuvendit të Kosovës i kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli do ta nisë turneun e lobimit në qendrat vendimmarrëse të Bashkimit Evropian, duke kërkuar heqjen e vizave. Megjithatë, njohës të integrimeve thonë se liberalizimi i vizave është më shumë çështje teknike dhe se Bashkimi Evropian kërkon plotësim të kritereve, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i shoqëruar nga deputetë të partive në pushtet dhe nga deputetë në opozitë, gjatë kësaj jave do të udhëtojë për vizitë zyrtare në disa nga vendet e Bashkimit Evropian në kuadër të lobimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ministrja e Integrimit Evropian ka thënë se lobimi është i domosdoshëm tani në kohën kur Kosova është në pritje të marrjes së rekomandimit të Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave, shkruan më tutje "Zëri".

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se lobimi në këtë kohë është i vonuar dhe se tashmë Kosova do të duhej ta kishte listën e shteteve që e mbështesin heqjen e vizave dhe të atyre që janë kundër.

Deputetët po ashtu thonë se ende nuk janë informuar nga kryetari i Kuvendit në lidhje me këtë turne të lobimit.

Ndërsa njohës të proceseve integruese shprehen të bindur se Komisioni Evropian do të dalë me rekomandim pozitiv për Kosovën.

Hoxha: Lobimi, i domosdoshëm në këtë fazë

Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka thënë për gazetën “Zëri” se lobimi është shumë i rëndësishëm në këtë fazë para dhënies së rekomandimit.

“Lobimi është gjithnjë shumë i rëndësishëm, duke qenë se procesi i vendimmarrjes përfshin shumë vende të zonës Schengen, por lobimi është i domosdoshëm e sidomos në këtë fazë kur jemi në prag të marrjes së rekomandimit dhe votimit. Konsideroj se lobimi i të gjithë përfaqësuesve të institucioneve do ta ndihmojë procesin e vendimmarrjes”, ka deklaruar Hoxha.

Ajo më tej ka thënë se përfaqësuesit institucionalë të Kosovës duhet të jenë afër qendrave të vendimmarrjes, të punojnë me vendet anëtare që t’i informojnë në detaje për përkushtimin e Kosovës që reformat të mos ndalen edhe pas liberalizimit.

“Besoj se iniciativa e kryetarit Veseli për të lobuar për liberalizimin e vizave me delegacionin nga Kuvendi do të ketë rol shumë të rëndësishëm dhe është ndërmarrë pikërisht në momentin e duhur. Edhe deri më tani ka pasur lobim dhe u kemi qëndruar afër vendeve vendimmarrëse, në funksion të kësaj kam takuar javën e kaluar ministren franceze për çështje evropiane dhe zyrtarë të tjerë në Francë”, ka potencuar ministrja Hoxha.

Edhe kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane Blerta Deliu-Kodra ka thënë se lobimi në fazën në të cilën gjendet Kosova është shumë i rëndësishëm.

“Pasi janë të gjitha partitë politike do të jetë mesazh i mirë, argumentet që do të përcillen janë argumente që e fuqizojnë vendimin, i japin peshë vendimit të fundit. Mendojë që diplomacia parlamentare gjithmonë ka rezultat në proces të lotimit dhe të evokimit e kjo e forcon edhe më tepër kur janë të gjithë të përfaqësuar, pozitë e opozitë dhe do të përçohet një zë i unifikuar në raport me të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

Ajo më tej ka thënë për “Zërin” se në fund të këtij muaji pritet të publikohet raporti për përmbushjen e kriterit të fundit për liberalizimin e vizave e që është luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit.

“Jemi në pritje që këtë muaj të publikohet raporti. Nuk ka datë të saktë se kur, por jemi në pritje që deri në fund të muajit të publikohet”, ka përfunduar deputetja e PDK-së.

Pacolli: Lobimi i vonuar, tani do të duhej ta dinim se cilat shtete na mbështesin

Anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli ka thënë për gazetën “Zëri” se deputetët ende nuk janë njoftuar lidhur me vizitën e delegacionit të Kuvendit nëpër qendrat evropiane.

Për më tepër, Pacolli vlerëson se lobimi në këtë kohë është i vonuar.

“Ne si deputetë nuk kemi ndonjë informatë zyrtare nga kryetari i Kuvendit se çfarë vizitash do të bëhen ose se ku do të shkojnë, ose si do të lobohet. Por në përgjithësi mendoj se është shumë e vonuar një vizitë e tillë. Të deklarosh se këtë vit do ta marrim liberalizimin e të fillosh tani me lobim është tepër vonë”, është shprehur Pacolli.  

Ajo më tej ka thënë se në këtë kohë institucionet e Kosovës është dashur ta kenë të qartë se cilat shtete të Bashkimit Evropian e mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën e cilat jo.

“Në këtë kohë ne është dashur t’i kemi listat e shteteve cilat na përkrahin e cilat jo. Është dashur t’i kemi të përcaktuara dhe jo tani të themi se po shkojmë për të lobuar”, ka deklaruar ajo.

Pacolli po ashtu ka thënë se disa prej partive që janë në pushtet tani që nga viti 2009 kanë filluar të premtojnë liberalizimin e vizave dhe se kanë dështuar në këtë proces, tani po mundohen ta kamuflojnë atë dështim.

“Këta njerëz që janë edhe në këtë qeveri kanë premtuar liberalizimin e vizave që nga viti 2009 dhe gjithmonë para zgjedhje kanë bërë deklarata se liberalizimi do të ndodhë në atë vit. Tani kinse po shkojmë të lobojmë nëpër shtete, kjo është vetëm sa për ta kamufluar dështimin e që e kanë pasur gjithë këto vite. Të lobosh tek tani në fillim të qershorit, në anën tjetër po thonë se kah mesi i këtij muaji do të merret vendimi, është vendim shumë i vonuar”, ka përfunduar Pacolli.

Fetoshi: Rekomandimi i KE-së do të jetë pozitiv

Profesori universitar Arben Fetoshi ka thënë se lobimi është i rëndësishëm, por sipas tij çështja e liberalizimit të vizave është më shumë çështje teknike.

“Lobimi është gjithmonë me rëndësi në angazhimin politik, por çështja e liberalizimit të vizave është më shumë teknike sesa politike. Për ta shpejtuar dhe për ta siguruar vendimin e BE-së politika dhe institucionet e Kosovës i kishin të caktuara qartë ‘detyrat e shtëpisë’ përmes Udhërrëfyesit. Pra, vonesa s’ka ndodhur për faj të BE-së, por për shkak të paaftësisë vendimmarrëse të politikës sonë”, ka vlerësuar Fetoshi në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit si kriter i fundit pas ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi është “shpatë me dy tehe”, sepse sipas tij bëhet fjalë për një proces i cili mund të vlerësohet edhe pozitivisht, edhe negativisht, sipas interesit në momentin e dhënë. Megjithatë Fetoshi është shprehur i bindur se rekomandimi i Komisionit Evropian për Kosovën do të jetë pozitiv.

“Mirëpo duke pasur parasysh rikthimin e vëmendjes në rajon, siç u pa me Samitin e Sofjes, për shkak të kërcënimit gjeopolitik e gjeostrategjik që paraqet depërtimi rus e investimet kineze në Ballkan dhe rezultatet për aq sa janë arritur në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, jam i bindur që rekomandimi i KE-së do të jetë pozitiv dhe deri në fund të vitit duhet të fillojë zbatimi i regjimit pa viza edhe për qytetarët e Kosovës”, ka theksuar Fetoshi.

Sipas tij, në këtë kuptim lobimi nuk ka ndonjë rëndësi imediate sa i përket vendimit, por gjithsesi është i rëndësishëm për reflektimin e përkushtimit evropian dhe interesin e avancimit të marrëdhënieve me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.