Komuna i përdor veturat zyrtare si në “bahçe të babës”

Aktuale June 03, 2018 - 13:27
E Fundit

Zyrtarët komunal të Novobërdës, i përdorin automjetet zyrtare në kundërshtim me rregulloren e komunës. Ndonëse, komuna ka nxjerrë dhe aprovuar rregullore të brendshme mbi përdorimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve, e njëjta nuk respektohet nga punonjësit e saj. Ata i përdorin automjetet zyrtare, pa i evidentuar kilometrat e kaluara.

Të gjeturat janë pjesë e monitorimit që Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar gjatë hartimit të raportit të pasqyrave financiare për komunën e Novobërdës, raporton “Zëri.Info”.

LEXO EDHE: 2 mijë e 400 euro për një lopë – Kompensimet e shtetit për disa fermerë

“Komuna ka në pronësi 22 automjete zyrtare të cilat i përdor për aktivitetet operative komunale. Lidhur me përdorimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve zyrtare, komuna ka nxjerrë dhe aprovuar rregulloren e brendshme, megjithatë ajo nuk respektohet gjatë përdorimit të automjeteve. Nga testimet e urdhëresave të udhëtimit për tri automjete, vërejtëm se nuk plotësohen urdhëresat e udhëtimit, nuk evidentohen kilometrat e kaluara si dhe në disa raste automjetet zyrtare përdoren pa aprovim paraprak”, theksohet në raportin e auditorit.

 

Moszbatimi i një rregulloreje të brendshme të aprovuar nga komuna rrit rrezikun e keqpërdorimit dhe përdorimit të pa autorizuar të automjeteve, përfshirë rritjen e shpenzimeve për karburante, për servisimin dhe mirëmbajtjen e tyre, alarmon auditori.

 

Për këtë shkelje të evidentuar, ZKA ka nxjerrë një rekomandim për kryetarin e komunës, që të forcoj kontrollet në menaxhim dhe raportim të shfrytëzimit të automjeteve në përputhje me rregullore.

 

“Kryetari i Komunës duhet të forcoj kontrollet në menaxhimin dhe raportimin e shfrytëzimit të automjeteve në përputhje të plotë me kërkesat e përcaktuara me rregullore. Për shfrytëzimin e automjeteve paraprakisht duhet të bëhet aprovimi, e më pas duhet të mbahen evidenca të plota për shfrytëzimin e tyre, përfshirë edhe mirëmbajtjen e tyre”, thuhet tutje. /ZËRI/