Tahiri: Kodi i Ri Penal mundëson efikasitet në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit

Aktuale June 02, 2018 - 13:31

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në një postim në facebook ka shkruar Kodi i Ri Penal që do të shkojë në Kuvend të hënën, është një nga projektet më të mëdha të drejtësisë në vend.

Tahiri ka theksuar se ky kod do tu përgjigjet nevojave të shoqërisë për luftën kundër krimit, korrupsionit dhe abuzimit.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të hënën do të kenë mundësinë që ta miratojnë në lexim të parë, një ndër projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme legjislative për sistemin e drejtësisë në vend, Projekt Kodin e Ri Penal.

Jam i lumtur që ndryshimet që kemi sponzoruar, janë ndryshime që adresojnë përgjigjet ndaj nevojave konkrete të shoqërisë dhe institucioneve tona, në luftën kundër krimit, korrupsionit, abuzimit dhe cënimit të jetës, barazisë e pronës së qytetarëve tanë”, ka shkruar Tahiri në facebook.

Postimi i plotë:

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të hënën do të kenë mundësinë që ta miratojnë në lexim të parë, një ndër projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme legjislative për sistemin e drejtësisë në vend, Projekt Kodin e Ri Penal. Jam i lumtur që ndryshimet që kemi sponzoruar, janë ndryshime që adresojnë përgjigjet ndaj nevojave konkrete të shoqërisë dhe institucioneve tona, në luftën kundër krimit, korrupsionit, abuzimit dhe cënimit të jetës, barazisë e pronës së qytetarëve tanë. Ndër të tjera, dhuna në familje që shpesh herë ka cënuar integritetin dhe sigurinë e individëve, me këtë Projekt Kod, për herë të parë është përfshirë si nen i veçantë, në mënyrë që kushdo që ushtron dhunë ose keqtrajtim fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cënimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare, të dënohet me gjobë dhe burgim deri në tre vite. Si shoqëri, kemi për detyrë që të rrisim mirëkuptimin dhe të nxisim një frymë harmonie brenda familjeve tona, por si institucione domosdoshmërisht duhet të kujdesemi që askush të mos jetë viktimë e pa mbrojtur dhe se ky ndryshim është mesazhi më i fuqishëm deri më tani kundër dhunës në familje. Jam i bindur se miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal, do t’i mundësojë institucioneve efikasitet të lartë kundër krimit, dhe do t’i mundësojë shoqërisë që të ketë siguri juridike në mbrojtjen e jetës, pronës dhe lirisë për të arritur progresin e dëshiruar.