Zyra e Presidencës mban shumë pozita me ushtrues detyre

Aktuale June 02, 2018 - 10:24

Zyra e Presidentit të Kosovës po mbanë jashtëligjshëm ushtrues detyre nëpozitën e Drejtorit të Departamentit të Informimit dhe Komunikimit me Publikun, në pozitën e Sekretarit të Zyrës së Presidentit, si dhe pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për Buxhet dhe Financa.

Këtë konstatim e ka nxjerrë Zyra Kombëtare e Auditimit, po pavarësisht kësaj Presidenca nuk është e interesuar të sqarojë nëse do të ndërmarr masa në lidhje më këtë.

Gazeta Alo ka tentuar të marrë përgjigje nga zyra e Presidentit se a do të shpallë konkurs për këto pozita, mirëpo këta të fundit kanë qenë të pa qasshëm.

Analisti, Artan Demhasaj, ka thënë për Gazetën Alo, se kjo praktikë po zhvillohet edhe në institucione të tjera. Ai thotë se po keqpërdorët ana ligjore dhe se rekomandimet e auditorit nuk po merren parasyshë.

“ Zyra e Presidentit por edhe të tjerët po vazhdojnë me këtë avaz të pozitave me ushtrues detyre me tejkalim të kohës paraprake. Kjo po keqpërdoret nga ana ligjore sepse më shumë se gjashtë muaj nuk lejohet dhe mbas të saj kohe duhet të veprohet ndryshe. Mendoj gjetjet kanë qenë të mëdhaja me rekomandime që mos të vazhdohet me praktika të tilla. Unë mendoj që duhet të ndalet kjo praktikë e tillë sepse po dëmtohen edhe buxheti i institucioneve dhe të mos vazhdohet kështu”, ka thënë Demhasaj.

Analisti politik, Ramush Tahiri, ka thënë për Gazetën Alo se vazhdimi i funksioneve me ushtrues detyre bëhet për qëllime të veta partiake.

Tahiri thotë se shumica e institucioneve veprojnë në këtë mënyrë me arsyen që të mos largohen njerëzit e tyre partiak.

“Emërim me ushtrues detyre lejon më fut njerëzit e vet partia pra këto procese po bëhen me klienteizem. Kjo bëhet për favore të veta për militantët e vet partiak. Mundësia shfrytëzohet për me vendos njërëzit e vet. Shumica e institucioneve po e shfrytëzojnë këtë kështu duke marrë pa konkurse në punë njerëz të afërt”, ka thënë Tahiri.

Ndryshe në Raportin e Auditorit të Përgjithshëm thuhet  se praktika e mbulimit të pozitave me UD për periudha të gjata kohore përveç se nuk është në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, rrezikon që pozitat të menaxhohen nga personat që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme në mungesë të konkurrencës së hapur./Gazeta Alo