Vazhdon ndotja e ambientit me fletushka, bizneset s’ka kush t’i gjobitë

Aktuale June 02, 2018 - 08:14
Detajet

Bizneset e shohin shpërndarjen e fletushkave si mënyrën më të mirë të reklamimit të ofertave të tyre. Mirëpo qytetarët e Prishtinës ankohen se bizneset po ua ndotin hyrjet e ndërtesave kolektive, si dhe oborret e shtëpive përmes hedhjes së këtyre fletushkave.

Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë përgjigje nëse ka ndërmarrë ndonjë hap për zgjidhjen e këtij problemi ose nëse në të ardhmen do të veprojë. Kurse zyrtarët nga Inspektorati në Komunën e Prishtinës kanë kërkuar që për këtë problem t’i referohemi Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave, në të cilën theksohet se shpërndarja e këtyre fletushkave hyn në mbeturinat komerciale e që dënimi për hedhjen e tyre sillet prej 100 deri në 500 euro.

Edhe pse kjo Rregullore ka hyrë në fuqi më 1 janar 2017, bizneset në Kosovë po vazhdojnë që me anë të shpërndarjes së fletushkave ta bëjnë këtë gjë, teksa thonë se nuk kanë pranuar asnjë vendim nga Komuna e Prishtinës për ta ndaluar shpërndarjen e fletushkave.

Qytetarët: Përveç ndotjes po na vidhen gjësende nga shpërndarësit e fletushkave 

Shpërndarja e fletushkave në vendet publike, por edhe në ato private në kryeqytet po i shqetëson qytetarët. Sipas Shpesa Krasniqit, e cila banon në banesat kolektive në lagjen “Dardania”, në Prishtinë, shpërndarja e fletushkave po paraqet shumë probleme. Njëri ndër problemet që ajo thekson janë mbushja e banesave me mbeturina. “Të gjitha korridoret po mbushen me këto fletushka që po shpërndahen pastaj në tokë dhe e gjithë hyrja po mbushet mbeturina. Edhe në oborrin e ndërtesës, siç po e shihni, ka shumë këso fletushkash që askush pastaj nuk i hedh në shportë, por mbeten kështu në tokë e që po duken shumë keq”, ka deklaruar ajo. 

Më tej Krasniqi ka thënë se dyshojnë se shpërndarësit e fletushkave po u vjedhin gjësende si këpucët. “Më ka ndodhur disa herë të më vidhen këpucët dhe gjësendet te dera e banesës. Nuk kemi pasur ide se kush mund të na i marrë gjësendet para derës, por të njëjtën ankesë e kanë edhe shumë fqinjë tanë në këtë hyrje. Tani po dyshojmë se gjësendet tona po i marrin shpërndarësit e fletushkave të bizneseve të ndryshme”, ka thënë ajo. 
Të njëjtin shqetësim e kanë dhe qytetarët të cilët banojnë nëpër shtëpi private. Sipas Besa Kastratit, problemet që po sjellin shpërndarësit e fletushkave është hyrja e shpeshtë në oborre pa leje, si dhe shpërndarja e këtyre fletushkave duke bërë që të grumbullohen shumë mbeturina. “Është shqetësuese se si shpërndarësit e fletushkave hyjnë edhe në oborre dhe fletushkat i vendosin në dyert e hyrjes në shtëpi. Ato madje i hedhin vend e pavend”, ka thënë ajo. 

MMPH: Komuna është përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor përmes një përgjigje për “Zërin” ka thënë se menaxhimi i mbeturinave është në kompetencë të komunave përkatëse. “Menaxhimi i mbeturinave është kompetencë e çdo komune për territorin e vet, besoj që një problematikë e tillë është e përfshirë edhe në Planin Komunal për Menaxhimin e Mbeturinave. Nëse personi përgjegjës për menaxhimin e mbeturinave në pajtim me përgjegjësitë ligjore nuk përkujdeset për mbeturinat e hedhura nga personi i panjohur, përgjegjësinë për ato mbeturina e bart komuna”, thuhet në përgjigjen e MMPH-së. 
Sipas kësaj Ministrie, kjo formë e shpërndarjes së fletushkave është bezdisëse për qytetarët. “Forma e shpërndarjes nga operatorët në formë të fletushkave ose të informacioneve tjera të cilat hidhen para banesave të qytetarëve, në rrugë ose edhe në vetura njihen në një forme si bezdisje. Prandaj, çdo formë e shpërndarjes së tillë nëpër vendbanimet e qytetarëve dhe të objekteve tjera në formë të fletushkave është e lindur të përfundojë si një mbeturinë e pamenaxhueshme”, thuhet tutje në këtë përgjigje. 

Kurse zyrtarët nga kompania “Pastrimi” për “Zërin” kanë thënë se hedhja e fletushkave në vende të ndryshme ndikon në ndotjen e ambientit dhe se askush deri më tani nuk ka ndërmarrë asgjë për këtë problem. “Kjo dukuri ndikon në ndotjen e ambientit pasi krijon papastërti në qytet, ndërsa deri më tani nuk ka ndonjë hap konkret në parandalimin e kësaj dukurie. Kompanitë e ndryshme që bëjnë fushata vetëdijesuese dhe marketing duhet të jenë më të kujdesshme në shpërndarjen e fletushkave të tyre, pasi gjithë ndotja që vjen nga shpërndarja e fletushkave vjen si rezultat i këtyre kompanive”, ka thënë Arbnore Ademi, zëdhënëse në kompaninë “Pastrimi”. 


Bizneset: Komuna nuk na ka informuar për gjobat

Zyrtarja për marketing në kompaninë “Exclusive Group”, Bidja Selimi, ka thënë për “Zërin” se nga Komuna nuk kanë asnjë informatë në lidhje me dënimet e mundshme për shpërndarjen e fletushkave. “Në fakt ne nuk jemi të informuar prej Komunës - informatën e kemi nga mediet. Komuna nuk ka dërguar ndonjë informatë as te Shoqata jonë e aq më pak të na kontaktojë ne direkt me ndonjë e-mail ose ndonjë letër”, ka thënë Selimi. 

Më tej ajo ka thënë se ndalimi i shpërndarjes së këtyre fletushkave ndikon negativisht te bizneset, megjithatë ajo thotë se duhet të gjendet një zgjedhje në mënyrë që të mos ndotet mjedisi. “Për sa i përket ndikimit, definitivisht ndikon negativisht në biznes, për shkak se ndërpritet një kanal i shumëpërdorur dhe tashmë i mësuar nga industria dhe nga konsumatorët. Megjithatë, duke e pasur parasysh dëmin potencial që i bëhet mjedisit, ne do të rekomandonim një diskutim të përbashkët me Shoqatën dhe me Komunën, ku do të gjendej zgjidhja më optimale në raport me të gjithë komponentët e ndikuar”, ka përfunduar ajo.