Barnatoret shesin barna ilegale nga Serbia

Aktuale June 02, 2018 - 08:05
Detajet

F.A. ishte detyruar të blejë barna ilegale nga Serbia për familjarin e saj të shtrirë në Klinikën e Neurologjisë në Prishtinë.

Ajo ka thënë për “Zërin” se vetë mjeku i kishte shkruar të blinte këtë bar, por pasi e kishte blerë ai i kishte thënë se nuk merr përgjegjësi nëse më pas pacientit i ndodh diçka e keqe. “Barin ‘Lemod Solu’ që e prodhon ‘Hemofarm’ nga Serbia ma ka shkruar mjeku me ble. Mirëpo më pas ka thënë se nuk merr përgjegjësi nëse i ndodh diçka e keqe pacientit që e merr terapinë, pasi ky bar ilegalisht hyn në Kosovë. Kam kërkuar në disa barnatore nëse një bar i tillë është legal, por nuk kam mundur ta gjejë”, ka thënë ajo për “Zërin”, duke preferuar të flasë në kushte anonimiteti, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Sipas saj, në barnatore nuk i kanë dhënë as faturën pasi e ka blerë këtë produkt medicinal, ndërsa siç ka thënë ajo edhe çmimi i tij ka qenë i ndryshëm në disa barnatore.

“Mjeku në fillim më ka shkruar që të blej pesë ‘Lemod solu’. Në një barnatore te QKUK-ja e kam gjetur dhe më ka kushtuar 10.50 euro, ndërsa në barnatore jashtë spitaleve e kam gjetur edhe me çmimin 8.50 euro. Më kanë treguar se çmimi i ndryshon sepse po ‘lujkan qysh po dojkan’ me çmim pasi është ilegal. Ndërsa pasi e kam blerë atë nuk më kanë dhënë as faturë”, ka treguar ajo.

“Zëri” ka kërkuar në disa barnatore për këtë produkt dhe nga farmacistët ka kuptuar se ky produkt u shitet pacientëve.

Mirëpo këto barna nuk janë të vetmet, të cilat po shiten ilegalisht në Kosovë. Ka barnatore të cilat shesin edhe barnat “Bensedin”, të cilat janë barna ilegale dhe të ndaluara. “Zëri” ka kontaktuar edhe me zyrtarë për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, por ata nuk u janë përgjigjur pyetjeve të dërguara.

Veseli: Barnat pa banderola rrezikojnë jetën e pacientëve

Anëtari i Bordit i Shërbimit Klinikë Universitar të Kosovës, Shemsi Veseli, ka thënë për “Zërin” se barnat pa banderola mund ta rrezikojnë jetën e pacientëve. Sipas tij, Inspektorati duhet t’i kontrollojë barnatoret, të cilat i fusin në të zezë këto barna.

Veseli ka treguar se nuk kanë informacione nëse mjekët u kanë përshkruar pacientëve barna të cilat janë me banderola të Serbisë, por që sipas tij, mjekët nuk kanë të drejtë t’ua përshkruajnë llojet e tilla të barnave.

“Si pjesë e Bordit të SHSKUK-së nuk i kemi këto informacione se mjekët u kanë përshkruar pacientëve barna me banderola të Serbisë. Janë kutitë e ankesave dhe është edhe Shoqata për Mbrojtjen e Pacientëve brenda SHSKUK-së, nuk e di, nuk e kanë përmendur asnjëherë deri më tash këtë shqetësim. Nëse kjo është e vërtetë, për neve është shqetësuese për arsye se nuk ka të drejtë asnjë mjek, aq më shumë në qoftë se ato barna nuk hyjnë përmes Doganës dhe nuk i ka lëshuar Agjencia për Produkte Medicinale dhe sidomos Inspektorati Farmaceutik”, ka theksuar ai.

Ai u ka bërë thirrje pacientëve që të paraqesin çdokënd që i përshkruan barna, të cilat janë me banderola të Serbisë. “Unë i ftoj publikisht të gjithë ata pacientë që kushdo që ju ka thënë t’i blini këto barna, sidomos ato që janë pa banderola, t’i denoncojnë dhe t’i paraqesin. Detyrë jona është pastaj t’i iniciojmë procedurat disiplinore dhe hetimore ndaj atyre individëve, pavarësisht se kush janë”, ka thënë ai.

Rrahmani: Qarkullimi i barnave pa banderola të MSH-së është ilegal

Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka thënë për “Zërin” se barnat pa banderola të MSH-së janë ilegale, andaj siç ka thënë ai, gjatë kohës kur ishte në krye të Ministrisë është ndalur qarkullimi i tyre.

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Time Kadrijaj, ka thënë se mjekët duhet t’ua shkruajnë pacientëve vetëm ato barna të cilat janë legale, pastaj pacienti mund t’i blejë ato ku të dojë. “Mjeku ka të drejtë të shkruajë barna dhe në fakt të shkruajë barna të cilat janë të licencuara. Pacienti është ai që e bën përzgjedhjen. Ai mundet njëkohësisht të  konsultohet në barnatore”, ka thënë ajo.

Policia konfiskon barna me banderola të Serbisë

Policia e Kosovës, më 5 mars 2018, kishte njoftuar se gjatë një operacioni në Prishtinë ka konfiskuar një sasi të konsiderueshme të barnave me banderola të Serbisë dhe me afat të skaduar.

Sipas vlerësimit fillestar, vlera e barnave të sekuestruara ishte në vlerë rreth 20,000 euro.

Në fillim të këtij viti Policia e Kosovës po ashtu kishte konfiskuar edhe 597 paketime me barna, disa prej të cilave me banderola te Serbisë. Ndërsa konfiskime të barnave, të cilat kanë ardhur nga Serbia, këtë vit ka pasur edhe në qytetin e Gjilanit. Policia e Kosovës tashmë disa vite pas kontrolleve të bëra në barnatore private ka gjetur barna me banderola të Serbisë dhe barna pa afat.