Haradinaj nuk shkon në seancë, shtyhet interpelanca

Aktuale June 02, 2018 - 08:01

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar t’i votojnë tri rezolutat që kanë qenë në rend të ditës në seancën e së enjtes për shkak të mungesës së kuorumit. Për shkak të mospranisë së kryeministrit Ramush Haradinaj në seancë është shtyrë raportimi i tij për korrupsionin dhe për krimin e organizuar. Gjithashtu në mungesë të kuorumit ka dështuar edhe shkarkimi i Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit, iniciativë kjo nga ish-partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, shkruan sot Gazeta "Zëri".


Rezoluta për Raportin e Progresit përplas PDK-në dhe Vetëvendosjen

Propozim-rezoluta për Raportin e Progresit pas debatit për këtë çështje ka përplasur shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së Memli Krasniqin dhe atë të Vetëvendosjes Glauk Konjufcën.
Memli Krasniqi me këtë rast ka thënë se propozim-rezoluta ka të bëjë me së paku me rezolutë, derisa e ka quajtur manipulim deklarimin e iniciuesit të debatit, Fitore Pacollin. “Harmonizimi është arritur dje, por mashtrimi është bërë më vonë. Pasi janë pajtuar përfaqësuesit e grupeve parlamentare këta në mënyrë të njëanshme janë munduar ta imponojnë këtë rezolutë. Qysh e kanë bërë marrëveshjen me LDK-në dhe me PSD-në është çështje tjetër”, ka thënë Krasniqi.
Por Konjufca në replikën e tij theksoi se nuk e di pse duhet të jetë e papranueshme për PDK-në propozim-rezoluta për Raportin e Progresit kur aty ka pika qëllimmira. “Nuk po e kuptoj këtë barrikadim të PDK-së kundër kësaj rezolute, shikoni edhe një herë pavarësisht çfarë ka folur Memli, lexojini edhe një herë dhe do të bindeni se ato pika janë shumë të mira për Kosovën”, theksoi Konjufca.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Krasniqit, i cili ka thënë se vetëm për dy arsye shpërthen.
“Glauk Konjufca unë kur shpërthej, shpërthej vetëm ndaj dyfytyrësisë dhe ndaj pafytyrësisë, kështu që reagimi im ishte ndaj pafytyrësisë së përfaqësuesve tuaj në këtë çështje. E dyta, mos manipulo se është e ulët dhe nuk të beson askush. Këto pika janë pjesë e programit të Qeverisë dhe janë aty, nuk ju ka mbetur juve të bëni propozime të tilla, të paktën jo tani”, ka thënë Krasniqi.

Nuk votohen rezolutat, mungojnë deputetët

Në seancën e djeshme të Kuvendin nuk arritën të kalohen shumica e rekomandimeve të dala nga debatet parlamentare në seancat e kaluara. Nuk kaloi votimi për rekomandimet nga debati parlamentar në lidhje me Raportin e Progresit, i propozuar nga Vetëvendosja. Për këtë pikë u votua 2 herë, por nuk kaloi si pasojë e kundërshtimeve nga PDK-ja dhe nga Nisma.
Deputeti Muharrem Nitaj në emër të AAK-së u bëri thirrje PDK-së dhe Nismës të mos e votojnë këtë rezolutë.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur që t’i votojë as rekomandimet nga interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e termocentralit “Kosova e Re”, të nënshkruar më 20 dhjetor 2017.
Për këtë pikë u tentua dy herë të votohet, por nuk kishte pjesëmarrje në votim pasi nuk janë harmonizuar rekomandimet.
Mes tjerash nuk ka arritur të votohet as raporti i Avokatit të Popullit pasi munguan shumica e deputetëve.

Në anën tjetër pika e vetme e votuar është pro formimit të komisionit hetimor parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Me 66 vota për dhe 2 kundër ky komision është formuar.

Shtyhet interpelanca ndaj Haradinajt

Interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinajt në lidhje me korrupsionin e krimin e organizuar nëpër institucione dhe te zyrtarët e lartë të shtetit, e thirrur nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, është shtyrë në mungesë të kryeministrit në seancë. Ky vendim erdhi pasi kryetari i Kuvendit Kadri Veseli bëri të ditur që kreu i ekzekutivit ka njoftuar Kuvendin se për këtë pikë ia ka deleguar kompetencat që të përgjigjet ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Mirëpo këtë e ka kundërshtuar deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, në emër të Grupit Parlamentar, e cila ka thënë se nuk e mbajnë këtë interpelancë pa qenë kryeministri i pranishëm, meqë atë e kanë ftuar në interpelancë e jo ministrin e Drejtësisë.

Molliqaj kërcënon ish-bashkëpartiakët

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, gjatë seancës së djeshme, në të cilën po diskutohet për shkarkimin e nënkryetares Aida Dërguti, i bëri thirrje Vetëvendosjes që t’i lërë lojërat dhe të mos e vazhdojë denigrimin e deputetes Aida Dërguti. “Lërini lojërat se nuk është fer të sulmosh njerëz si Aida Dërguti e të tjerë që i keni pasur për 12 vjet shokë, e nëse doni të hyjmë në këtë lojë i çelim të gjitha letrat bashkërisht”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj me këtë rast gjatë fjalës së tij “kërcënoi” Vetëvendosjen duke thënë që nëse e vazhdojnë këtë do të marrin një përgjigje që nuk e presin. “Nëse e vazhdoni me denigrim të personave sikur për Aidën, besoni që do ta merrni përgjigjen të cilën nuk e keni marrë deri më tash. E ju e dini që unë e kam atë përgjigje, ju e dini që nuk mund ta përballoni atë përgjigje, kështu që ju lutem të vazhdojmë si kolegë politikë sepse për neve vazhdon të mbetet problem Qeveria dhe pushteti”, ka thënë Molliqaj.
Ndërsa deputeti Glauk Konjufca menjëherë reagoi duke thënë që Molliqaj po tingëllon sikur Hashim Thaçi me këtë lloj debati. “Të them të drejtën paskam harruar qysh tingëllon Hashim Thaçi në Kuvend sepse moti nuk ka qenë këtu. Me atë stilin ‘Albin për ty kom diçka po mos më shti me ta thanë, se me bo me i shku deri në fund e sheh çka të gjenë’”, ka thënë Konjufca duke iu drejtuar Molliqajt.

Ndërsa duke folur për shkarkimin e Aida Dërgutit Dardan Molliqaj ka thënë se mbajtja e postit nga ana e saj është në rregull në bazë të Kushtetutës.
Ai i bëri thirrje Vetëvendosjes që ta respektojë Kushtetutën e Kosovës, duke thënë se nëse Kuvendi e voton shkarkimin e Dërgutit ky post do të lirohet.
Mirëpo pavarësisht debatit kjo pikë nuk u hodh në votim pasi nuk kishte deputetë mjaftueshëm të pranishëm në sallë.