Krasniqi: PDK-ja, e gatshme për zgjedhje

Aktuale June 01, 2018 - 08:04
Lexo detajet

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi ka deklaruar për “Zërin” se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme nëse vendosin të gjitha subjektet e tjera politike. Por, sipas tij, asnjë parti nuk dëshiron të ketë zgjedhje, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kosovës aktualisht nuk i duhen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por i duhet stabilitet dhe qëndrueshmëri institucionale.

Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e gatshme për zgjedhje nëse të gjitha partitë parlamentare vendosin për një gjë të tillë. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

LEXO EDHE: Rezolutë në dëm të liberalizimit

Sipas tij, pavarësisht gatishmërisë së PDK-së asnjë subjekt politik në vend nuk dëshiron zgjedhje në Kosovë, pasi që janë disa çështje të rëndësisë nacionale që duhet të definohen brenda dy-tre vjetëve të ardhshme.

Shefi i deputetëve të PDK-së gjatë kësaj interviste për “Zërin” ka folur edhe për fazën finale të dialogut me Serbinë, duke thënë se vendit edhe këtë herë i duhet një ekip i unitetit dhe këtë proces duhet ta udhëheqë presidenti Thaçi pavarësisht kundërshtimeve të opozitës dhe partnerit të koalicionit qeverisës, Nisma Socialdemokrate.

 

 

 

Ai ka pranuar se procesi për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës ka mbetur peng i Listës Serbe dhe sipas tij, kjo çështje nuk duhet të pritet deri në pakufi, por në fund të procedohet nëpërmjet ndryshimeve ligjore.

Qeveria “Haradinaj”, e madhe

Zëri: Në dy mandate keni qenë ministër i Qeverisë së Kosovës. Si e shihni nga perspektiva e deputetit punën e deritanishme të qeverisë “Haradinaj”, e cila ka 21 ministri, rreth 80 zëvendësministra. A po punon më shumë ky kabinet qeveritar me kaq shumë zyrtarë të lartë apo po ndodh e kundërta?

Krasniqi: E vërtetë që është një Qeveri e madhe. Personalisht jam për një Qeveri më të vogël. Por në shumicën e proceseve po bëhet një punë e mirë. Nuk është e lehtë për këtë Qeveri që t’i kryejë detyrat sipas planifikimeve për shkak të shumicës minimale që e kemi në Kuvendin e Kosovës, por së paku disa nga proceset e rëndësishme tashmë janë përmbyllur, duke përfshirë ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit. Në anën tjetër, nuk e shoh si krejt negative një Qeveri me shumicë të vogël, përkundrazi mendoj që me një opozitë të fortë që luan rolin e vet në kuptimin e korrektuesit të Qeverisë besoj që rezultatet e saj mund të jenë më të mira.

Zëri: Qe disa muaj koalicioni qeverisës, pjesë e të cilit është edhe PDK-ja, funksionon me vetëm 52 deputetë në Kuvend. A është kjo Qeveria më e paqëndrueshme e cila po vazhdon punën pasi ka përballë një opozitë të pafuqishme?

Krasniqi: Opozita nuk është e pafuqishme sepse ka një numër të madh të deputetëve. Konstatimi që Qeveria i ka 52 numra nuk është krejtësisht i saktë, sepse Lista Serbe asnjëherë zyrtarisht nuk ka dalë nga koalicioni pavarësisht një deklarimi në Kuvend që ka qenë i dykuptimtë, pasi ministrat asnjëherë s’kanë dhënë dorëheqje.

Jo se 62 deputetë janë shumë, po mendoj që është një shumicë minimale. Ju kujtohet që në qeverinë “Thaçi 2” kemi pasur më pak se 61 deputetë për një periudhë goxha të gjatë dhe Qeveria ka kryer detyrat, ka funksionuar deri në një moment kur është dashur të merren vendime më të mëdha të rëndësisë nacionale, kur është dashur të ngrihet mocioni për rrëzimin e Qeverisë. Tani jemi larg një situate të tillë. Pavarësisht sfidave që mund të duken në Parlament unë jam i befasuar për të mirë, sepse kemi gjetur jo vetëm gjuhë të përbashkët, por me unanimitet kemi kaluar rezoluta dhe rekomandime që kemi zhvilluar në Kuvend.

Zëri: Lista Serbe është pjesë e koalicionit qeverisës apo jo, pasi ministrat e tyre nuk po marrin pjesë në mbledhje të Qeverisë?

Krasniqi: Analiza ime do të bëhej duke i shikuar në mënyrën sesi votojnë ata. Unë besoj që çështjet e mosmarrëveshjeve me Listën Serbe janë të tejkalueshme, pasi nuk kanë dalë nga koalicioni qeverisës dhe ministrat s’kanë dhënë dorëheqje. E di që s’kanë qenë në mbledhje të Qeverisë, por kanë kryer detyrat e tyre, kanë marrë vendime dhe kanë qenë në aktivitete bashkë më kryeministrin dhe me kolegë të tjerë.

S’ka zgjedhje të parakohshme, mocioni s’do të ndodhë

Zëri: A është e gatshme PDK-ja të shkojë në zgjedhje të parakohshme, siç po kërkojnë LDK-ja dhe Vetëvendosja?

Krasniqi: Qëndrimi i PDK-së është i qartë. Ne nuk jemi për zgjedhje të parakohshme. Kosovës nuk i duhen zgjedhjet, i duhet stabilitet dhe qëndrueshmëri. Por, ne jemi të gatshëm për zgjedhje. Problemi është se askush nuk është i interesuar për zgjedhje. Kjo është një demagogji ditore prej kujtdo nga partitë që flasin për zgjedhje, sepse zgjedhjet është e thjeshtë të organizohen në momentin kur dikush me të vërtetë dëshiron dhe ka fuqi nëse pretendon diçka të tillë. Nëse me mocion bëhen 61 vota merr fund Qeveria. Po e përsëris, ne mendojmë që nuk duhet të shkohet në zgjedhje. Ne mendojmë që kjo as nuk është temë serioze, por sikur dikush me të vërtetë ta ketë me seriozitet, atëherë ne në çdo moment jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje.

Zëri: Kur besoni se do të ketë zgjedhje të parakohshme në vend?

Krasniqi: Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, pasi që është një diskutim i kotë. Qëndrimi ynë si PDK është të shkojmë deri në fund të mandatit. Është një sfidë e madhe për Kosovën, pasi janë disa çështje të rëndësisë nacionale që duhet të definohen në dy-tre vjetët e ardhshëm, të cilat s’mund t’i shmangim. Po e përsëris, askush nuk dëshiron zgjedhje në Kosovë. Asnjë parti politike nuk është e interesuar për zgjedhje për arsye të ndryshme brenda situatave që i ka secila.

Zëri: A ka gjasë që sivjet Qeveria të rrëzohet nëpërmjet mocionit të votëbesimit, siç ishte rrëzuar qeveria “Mustafa”?

Krasniqi: Ne nuk mbështesim asnjë proces të tillë. Normalisht që edhe partitë e tjera nuk do ta bëjnë një gjë të tillë, por e rëndësishme është që opozita nuk do të bëjë një gjë të tillë. Nuk ka mocion të mosbesimit, nuk do të ketë dhe as që është në horizont një çështje e tillë për momentin. 

Thaçi ka kompetenca për udhëheqjen e dialogut

Zëri: Presidenti Thaçi do ta udhëheqë dialogun me Serbinë, por opozita e edhe partneri i koalicionit Nisma nuk po e pranojnë. A besoni se presidenti ka legjitimet të mjaftueshëm për ta arritur një marrëveshje përfundimtare me shtetin fqinj pavarësisht kundërshtimeve të tilla?

Krasniqi: Populli ynë në traditën e vet e ka një shprehje “me e kap muhabetin për bishti”. Kjo se kush do ta udhëheqë dialogun është si ta kapësh muhabetin për bishti, sepse është më pak e rëndësishme sesa fakti se si do të ndodhë ky dialog dhe çka duhet të kërkojë Kosova, cilat duhet të jenë pritjet e Kosovës prej këtij dialogu. Është sekondare se si ne do të pajtohemi për ta modeluar dialogun në kuptimin e udhëheqjes, të ekipeve etj. Nëse ne para së gjithash si skenë politike pozitë-opozitë arrijmë një lloj konsensusi për qasjen që do ta kemi ndaj këtij dialogu.

Ne mendojmë që duhet të ketë një përfshirje më të gjerë ose të arrihet një konsensus, sepse jemi të besimit se nëse ka një pjesëmarrje më të gjerë të akterëve politikë ne do të dalim më të fortë edhe në arritjen e qëllimeve që i kemi. Mandatin për ta lehtësuar dialogun e ka BE-ja dhe z. Mogherini nuk është pa rol në përcaktimin e ekipit dhe të lidershipit. Herën e fundit presidenti nuk ka shkuar pse s’ka pasur punë tjetër, por sepse është ftuar direkt nga BE-ja. Ne mendojmë që procesi është me i rëndësishëm sesa të bisedohet vetëm kush do të jetë udhëheqës. Besimi im personal është se këtij procesi i duhet një ekip i unitetit siç i kemi pasur në negociatat në Vjenë për statusin final një përfshirje të të gjitha palëve. Ne si PDK në atë kohë kemi qenë në opozitë.

Z. Thaçi si lider i opozitës ka marrë pjesë në atë proces dhe ka bartur ndoshta përgjegjësinë më të madhe. Megjithatë, procesi në atë kohë është udhëhequr nga presidenti i vendit Ibrahim Rugova dhe nuk ka pasur ndonjë dallim kushtetues Kosova atëherë dhe tani. Tani Qeveria e ka sjellë një rezolutë të re përmes së cilës dëshiron që këtë përgjegjësi t’ia kalojë presidentit. Është vendim i kryeministrit. Ai e ka deklaruar edhe publikisht që dëshiron të merret me tema të tjera dhe udhëheqjen e dialogut ta bëjë presidenti. Nuk do të thotë që është fjalë e shenjtë që s’duhet të ndërrohet, por shpresoj që do të ketë një diskutim që i tejkalon parametrat e politikave ditore.

Zëri: Presidenti Thaçi ka lënë të nënkuptohet që në këtë fazë të fundit të dialogut do të ketë kompromise me Serbinë, duke thënë se “askush nuk do të fitojë 100% dhe se serbët duhen të kenë akomodim më afirmativ”. Cili do të jetë kompromisi i ri që do ta bëjë Kosova në këto negociata dhe a është e pranueshme opsioni për ndarjen e veriut?

Krasniqi: Nuk mund të them asgjë pasi dialogu akoma nuk ka filluar, nuk ka ndonjë dokument që parasheh se si mund të rrjedhin gjërat. Ajo që mund të them vetëm duke e analizuar konceptin e dialogut dhe të negociatave është se zakonisht qëllimi i tyre është të përafrohen qëndrimet e dy palëve dhe cili mund të jetë përfundimi unë nuk e di, por duhet ta kemi të qartë se kërkesa e Kosovës duhet të jetë përmbyllja njëherë e përgjithmonë e çështjes së Kosovës me Serbinë. Unë besoj që diskutimi për shkëmbim të territoreve ose për ndarje të Kosovës as që duhet të jetë në tavolinë të bisedimeve dhe nuk besoj që ka mbështetje politike as në Kosovë, as jashtë për një gjë të tillë. Kjo është një qasje që e ka pasur Serbia vite me radhë dhe nuk do të duhej që ne të biem në grackën e planeve që mund t’i ketë shteti fqinj, të cilat ndërlidhen me ndarjen e Kosovës.

Asociacioni të bëhet vetëm përmes Kushtetutës

Zëri: Si do të veprohet me Asociacionin, do të themelohet siç është nënshkruar në Bruksel apo siç ka rekomanduar Kushtetuesja?

Krasniqi: Obligimi ynë si institucione është që të respektohet Kushtetuta e Kosovës. Unë nuk besoj që mund të ketë çfarëdo qasjeje tjetër përveç respektimit të Kushtetueses. Andaj rekomandimet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese duhet të jenë pjesë e qasjes së Kosovës ndaj zgjedhjes së këtij problemi.

Zëri: A prisni që këtë vit Kosova ta fitojë liberalizimin e vizave dhe a ka pengesa në këtë drejtim nga 5 shtetet mosnjohëse?

Krasniqi: Pritjet tona janë që të rikonfirmohet rekomandimi pozitiv. U bën gati tre vjet prejse Kosova e ka rekomandimin pozitiv. Kjo është diçka e paprecedent për mendimin tim në kuptimin e asaj se si do të veprojë Komisioni Evropian tani pasi rekomandimi ekziston. Unë nuk e di a vetëm do ta ridërgojnë me një notë të re, ku thuhet se janë përmbushur kushtet që kanë qenë të papërmbushura. Unë besoj që kjo do të ndodhë dhe t’ua them të drejtën në perspektiven personale në këtë proces për mua ka qenë padrejtësisht shtyrje dhe vonesë e rritje e numrit të kushteve e kërkesave ndaj Kosovës. Përmbushja e kritereve tashmë ka ndodhur, kemi pasur një ekip nga ana e BE-së për evoluimin, por përshtypja është që do të jenë përfundime pozitive që do të përcaktojnë marrjen e vendimit final në caktimin e datës prej kur ne mund të lëvizim lirshëm në zonën Shchengen.

Zëri: A është plotësuar kriteri i fundit, luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit?

Krasniqi: Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit është një luftë e pandalshme. Asnjë shtet i BE-së nuk mund të thotë se ne e kemi përfunduar luftën kundër krimit të organizuar. Është një angazhim që duhet të jetë prioritet për institucionet në vazhdimësi. Por ajo që e koncepton BE-ja është përmes një “track record”, i cili në mënyrë të vazhdueshme evoluohet dhe besoj që këtë radhë do të jetë pozitiv. Pa dyshim që në këtë fushë Kosova ende ka shumë punë dhe duhet vërtet që t’i fokusojë kapacitetet e sistemit të drejtësisë të gjyqësorit dhe Prokurorisë në luftimin edhe më efikas, veçanërisht sa i përket vjetërsimit të lëndëve dhe kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore.

Jemi peng të Listës Serbe për ushtrinë

Zëri: Si do të veprohet me ushtrinë, nëpërmjet ligjit apo nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese?

Krasniqi: Diskutimi për këtë çështje ka vite që po vazhdon dhe ne e kemi humbur shansin në vitin 2014. Atëherë ka qenë gjithçka e gatshme, kemi pasur një situatë tjetër dhe një përfaqësim tjetër në kuptimin edhe kualitativ të përfaqësuesve të pakicave, duke përfshirë edhe pakicën serbe në Kuvend. Por që kundërshtimi i LDK-së para së gjithash për t’ua garantuar minoriteteve edhe një mandat ulëse të rezervuara na solli në një situatë që s’kishim mundësi ta kalonim me ndërrime të Kushtetueses dhe sot e kësaj dite është jashtëzakonisht e vështirë për të mos thënë e pamundur me qëndrimin që ka Lista Serbe karshi kësaj çështjeje. Ne preferojmë që transformimi i FSK-së në FAK të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, por s’mund të jemi të durueshëm pakufi.

Në këtë kuadër nëse e shohim që të gjitha tentimet e përbashkëta vendore dhe ndërkombëtare nuk po japin fryt për të pasur një votim të suksesshëm të ndryshimeve kushtuese, atëherë nuk duhet të përjashtohet mundësia e formimit përmes ligjit. Ndërkombëtarët ne i kemi partnerë dhe jo kujdestarë dhe me partnerët kur je i sinqertë jam i bindur se do të kenë mirëkuptim, sepse s’mund të mbesim peng, sepse ne tash për tash jemi peng të qasjes së Listës Serbe, por s’mund te jemi peng tërë jetën, sepse është e padrejtë që vullneti i shumicës së qytetarëve të mbetet peng për shkak të një numri minor të deputetëve, pavarësisht se cilës etni i përkasin. 

Zëri: A keni biseduar për këtë çështje me Listën Serbe, pasi që këta të fundit e kundërshtojnë themelimin e ushtrisë?

Krasniqi: Nuk jam i sigurt për fazën e fundit, por kjo çështje gjithmonë është në rendin e ditës.

Zëri: Kemi parë se si në mandatin e kaluar, por edhe në këtë legjislaturë Kuvendi nuk mban seanca me rregull, zakonisht seancat po mbahen kur po grumbullohen shumë pika në rend dite, po ashtu kemi parë se debatet shpesh po eskalojnë. A mendoni se po degradon Kuvendi?

Krasniqi: Nëse e bëni një vlerësim empirik të punës së Kuvendit në vitin 2018 do të befasoheni kur të shihni se ky është viti kur më shumë ka punuar Kuvendi. Numri i seancave të mbajtura në katër muajt e parë ka qenë ma i madh se cilido katërmujor para dhe pas pavarësisë. Produktiviteti pastaj varet sepse shumë prej këtyre seancave kanë qenë interpelanca me kryeministrin, debate të iniciuara nga opozita dhe që kanë zgjatur me 8-9 orë në kuptimin e funksionimit ka defiqiencë, sepse ka seanca që na kanë mbetur pa përfunduar që para një muaji dhe deputetët pa dallim ndonjëherë nuk janë në nivelin e përgjegjësisë sa duhet dhe nuk vinë në seanca dhe ne mbesim pa kuorum për t’i votuar disa pika. Nuk do të thosha se ka shumë atmosferë konflikuoze në Kuvend, sepse në mandatin e kaluar ka pasur gaz lotsjellës, në muaj të tërë janë thënë fjalët më të rënda që mund t’i thuhen dikujt.