Lansohet Raporti Tipologjitë e Pastrimit të Parave nga zyrtarët publik në Kosovë

Aktuale May 31, 2018 - 14:03
Lexoni më shumë detaje

Lufta kundër pastrimit të parave është thelbësore për zbutjen e korrupsionit. Korrupsioni i nivelit të lartë që përfshinë zyrtarë publikë dëmton besimin e publikut, pengon zhvillimin ekonomik, shtrembëron shpërndarjen e pasurisë dhe mund të çojë edhe në trazira shoqërore.

Duke marrë parasysh të gjitha këto implikime, Projekti Anti-Korrupsion i UNDP-së (SAEK II), i mbështetur nga Bashkëpunimi Zviceran për Zhvillim (SDC) dhe Agjencia Daneze për Zhvillim Ndërkombëtar (DANIDA), bashkëpunoi me Njësinë e Inteligjencës Financiare të Kosovës (NjIF-K) për të paraqitur analizën e parë të pastrimit të parave që përfshin personat e ekspozuar politikisht (PEP), e cila u lansua sot në prani të zyrtarëve të lartë të UNDP-së dhe institucioneve të Kosovës dhe mysafirëve të tjerë të ftuar në këtë ngjarje.

Në fjalën e hapjes, Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së Ulrika Richardson theksoi: "Është e qartë se Kosova po shënon progres dhe unë - të gjithë ne - presim të shohim përparim të vazhdueshëm në këtë luftë të drejtë kundër korrupsionit. Për institucionet e Kosovës po ashtu mbetet kërkesa për të treguar se është duke shënuar rezultate konkrete në rrugën e saj drejt integrimit evropian".

Folës të tjerë në këtë ngjarje ishin edhe Jean-Hubert Lebet, Ambasador i Zvicrës, Dardan Nuhiu, Drejtor i Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës, Labinot Preniqi, Udhëheqës i Departamentit të Pastrimit të Parave, Banka Qendrore e Kosovës, Shaip Havolli, Drejtor i Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit dhe Petrit Balija, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës

Publikimi rekomandon subjekteve raportuese se si të angazhohen me PEP si klientë, si të monitorojnë rrezikun dhe të identifikojnë treguesit që paralajmërojnë probleme e që duhet të raportohen NjIF.

Në kapitullin e fundit, shpjegohen tetë tipologjitë (ose rastet) e dyshuara që janë identifikuar për pastrim të parave që përfshijnë personat e ekspozuar politikisht.

Këto raste ilustrojnë skemat e pastrimit të parave me të cilat ballafaqohen subjektet raportuese dhe hetuesit.

Pritet që raporti të shërbejë si një udhëzues i vlefshëm referimi për subjektet raportuese të sektorit privat për të dalluar se cilët klientë janë me rrezik të lartë dhe cilat aktivitete të dyshimta duhet të raportojnë; për policinë dhe prokurorët në ndërtimin e rasteve përmes zbulimit të provave që u ndihmon për të filluar procedurat e konfiskimit; dhe së fundmi për gjyqtarët për të kuptuar se si është kryer ky lloj krimi (i kollares së bardhë) dhe për të vendos dënimet e duhura për këto lloje të veprave të rënda.

Raporti Tipologjitë e Pastrimit të Parave të Personave të Ekspozuar Politikisht në Kosovë është iniciativë e projektit të UNDP-së Përkrahje Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Kosovë, i cili financohet nga SDC dhe DANIDA.

KËTU mund ta gjeni raportin.

Image

Image

Image