Kurti dhe Haradinaj ‘përplasen’ në Kuvend, kujtojnë kohën kur ishin bashkë

Aktuale May 31, 2018 - 13:06
Lexoni më shumë detaje

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti hapi sot një debat në seancë të Kuvendit që nxori shumë çështje në pah mes Haradinajt e Kurtit. Me këtë rast Kurti e akuzoi Haradinajn që e ka shitur veten tek Thaçi e Veseli, ndërsa Haradinaj vuri në pikëpyetje qëndrimet e Kurtit në raporton me çështjen e Demarkacionit me Malin e zi raporton “Zeri.info”.

Duke iu kundërpërgjigjur Haradinajt, Kurti tha se Vetëvendosjes edhe po të i dalin edhe dy grupe deputetetësh, prapë janë më shumë sesa partia e kryeministrit.

“Edhe dy valë po të dalin nga Vetëvendosje prapë kemi me mbet shumë se AAK-ja. Duhet të merremi edhe me çështjet ekonomike, nëse ju nuk merreni e unë merrem, e juve ju pengon që unë merrem, problemi është që ti nuk merresh e unë merrem”, tha Kurti.

Ai mes akuzave të tjera kundrejt, kryeministrit, tha se ky i fundit është shndërruar në korrier të presidentit, përderisa theksoi se Haradinajn nuk e sheh si kryeministër të vendit.

“Haradinaj është shndërruar në korrier të presidentit. Ka qenë i detyruar të kaloj demarkacionin që të mbetet kryeministër, ka qenë i detyruar që ta vazhdoj dialogun. Kishta dashur që Haradinaj të jetë kryeministër por ky nuk është, tjetër kush është kryeministër, ai është shndërruar në korrier të presidentit”, tha Kurti, raporton "Zeri.info".

Në anën tjetër i menjëhershëm ishte reagimi i Haradinajt i cili tha se është i bindur që Kurtit nuk i ka interesuar Demarkacioni, por e ka pasur atë vetëm si një kartë që e ka përdorur në Kuvend.

“Janë disa punë që ne i kemi bërë, të cilat tregojnë që kjo qeveri vërtet ekziston. Janë disa çështje që i kemi nisur ne e i keni votuar edhe ju, por ka edhe çështje që kanë mbetur me pikëpyetje nga ana juaj, si çështja e demarkacionit. Keni drejt me pas pikëpyetje, por ajo që më ka mbet pikëpyetje mua nga ju Albin, është që si nuk të është dhimbsur raporti Bulliqi kur u provua në atë ligj që me u relativizua. Ajo që më bënë mua të mendoj që ty nuk ta ka ndjerë për atë punë hiq, për Demarkacion shumë më pak se mu jam shumë i sigurt, por e keni pasur vetëm kartë”, tha Haradinaj duke iu drejtuar Kurtit dhe deputetëve të tjerë të VV-së, raporton "Zëri".

Madje Haradinaj tha se Kosova do të fitoj në raport me demarkacionin duke thënë se “ju siguroj që e drejta e Kosovës do të zbatohet në korrigjim. Ju kam hetuar, kur në këtë Kuvend u minimizonte raportin Bulliqi ju nuk folshi hiç”.

E duke folur për akuzat e Kurtit që i bëri Haradinajt për atë se Haradinaj e ka përdorur opozitën për të u shitur më shtrenjtë te Thaçi e Veseli, ai tha se Thaçit ja ka shtrirë dorën dhe nuk do të bëjë lojëra në këtë aspekt.

“Me Thaçin është hera e parë që jemi në partneritet politik pas 20 viteve, i kemi marr përgjegjësit që jemi dakorduar dhe ato mbesin, unë brenda shtëpisë nuk bëjë lojna dhe nuk do të ju bëj lojëra, jam me të me Veselin e Thaçin, të gjithëve që ua jap dorën jap me ta, ta pata pas dhënë edhe ty një kohë por nuk mundëm të e qojmë më gjatë dhe i ndamë rrugët”, tha Haradinaj.

Ndërsa Kurti reagoi përsëri duke thënë se nuk iu janë ndarë rrugët, por Haradinaj ka devijuar rrugën.

“Nuk na janë nda rrugët, ju keni dal nga rruga kemi qenë bashkë në kundërshtim të demarkacionit dhe ‘Zajednicës’. Ju e keni keqpërdor opozitën për të shkuar në Qeveri e për tu shitur më shtrenjtë tek ata”, tha Kurti, raporton “Zeri.info”.

Kurti mes tjerash tha se ka ndërruar fytyra e kryeministrit. /ZËRI/