Në shkolla të Prishtinës mungon informimi për edukim seksual

Aktuale May 31, 2018 - 11:10
Lexoni më shumë detaje

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës është duke u diskutuar për shëndetin riprodhues. Lidhur me këtë, doktoresha Visare Majku ka thënë se mungon edukimi tek të rinjtë për përdorimin e mjeteve kontraceptive, shkruan "Zëri.info".

"Ka mungesë te mjeteve kontraceptive dhe për edukimin e të rinjve për këto gjëra", ka thënë ajo.

Lidhur me këtë ajo ka thënë që komuna duhet të ndajë buxhet për blerjen e këtyre kontraceptiveve dhe të bëhet shpërndarja e tyre.

“Ju si asamblistë mund të votoni që të ndahet buxhet për këto gjëra dhe për ndihmë për të rinjtë. Në komunën e Prishtinës ekziston komiteti për promovim dhe edukim shëndetësor që funksionojnë në shkollë”, ka thënë tutje ai.

Lidhur me problemin ajo ka thënë se Kosova është vend diskriminues pasi që ekziston mentaliteti i abortimit të vajzave.

"Kosova është e regjistrua dhe e vërtetuar që në familje kanë shumë prirje që të kenë në familje djem dhe ata abortojnë fëmijët vajza vetëm që të kenë një djalë. Kjo paraqet një diskriminim", ka thënë ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar të Asamblistëve të PDK-së, Blerand Stavileci ka propozuar që lidhur me këtë çështje të formohet një aplikacion ku të rinjtë do të informoheshin.

“Duhet të krijohet një aplikacion ku te rinjtë do të munden të informohen të marrin këshilla dhe të  i shprehin pakënaqësitë e tyre”, ka propozuar ai.

Vlora Dumoshi asambliste nga LDK-ja, ka shprehur shqetësimin e saj edhe për vetëvrasjen e dy vajzave në Prizren si dhe mungesën e qendrave rehabilituese për të rinjtë.

Ajo ka thënë që shpreson që me rishikimin e buxhetit do të mund edhe të organizohen projekte vetëdijësuese.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia ka thënë që përmes subvencioneve në Komunë janë ndihmuar shumë organizata, raporton tutje "Zeri.info".

"Ne përmes subvencioneve, kemi ndihmuar shumë organizata të ndryshme. Sa i përket fushatave vetëdijësuese ne përmes televizioneve në qendra mjekësore të ndryshme kemi lëshuar fushata vetëdijësuese", ka thënë Vitia.

Tutje Vitia ka thënë se Komuna vazhdimisht është marrë me krijimin e fushatave vetëdijësuese si për gra ashtu edhe për burra.

"Ne kemi fushata edhe për vetëdijesimin e burrave për kancerin e prostatës dhe jo vetëm fushata për gra, por jemi në një shoqëri diskriminuese ku gjërat paragjykohen", ka përfunduar ai. /ZERI/