Koordinatorë për harxhimin e buxhetit

Aktuale May 31, 2018 - 07:42
Lexoni më shumë detaje

Përveç 21 ministrave e 74 zëvendësministrave, Qeverisë së Kosovës tashmë kanë filluar t’i shtohen edhe koordinatorët nacionalë. Deri më tani janë emëruar tre koordinatorë, kurse paga mujore e tyre është në nivel me pagën e ministrave, 1270 euro. Po ashtu secili prej tyre ka të drejtë të angazhojë nga një asistent dhe dy këshilltarë. Opozita dhe shoqëria civile po i quajnë “koordinatorë për harxhimin e buxhetit”, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kryeministri Ramush Haradinaj me të ardhur në krye të Qeverisë pati nënshkruar memorandum mirëkuptimi me kryetarin e Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës Avdullah Hasanin, i njohur si “Dulla”.

Përmes këtij memorandumi Hasani u caktua “koordinator për gjeneratën e re”.

Ky memorandum në muajt pasues është përcjellë me emërimin e tre koordinatorëve zyrtarë qeveritarë.

Në mars Besnik Tahiri është emëruar koordinator nacional për reforma shtetërore; ndërsa para dy ditësh djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Mendim Rugova, është emëruar koordinator për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit, kurse nënkryetari i PDK-së Rexhep Hoti është emëruar  koordinator nacional për kulturë, rini dhe sport, shkruan më tutje "Zëri".

Këto emërime po vlerësohen si të paarsyeshme dhe ngarkesë për buxhetin e shtetit.

Paga mujore e një koordinatori do të jetë e nivelit të pagës së ministrit (1270 euro).

Gjithashtu koordinatori ka të drejtë të caktojë një asistent dhe dy këshilltarë.

Sipas opozitës dhe shoqërisë civile, posti i koordinatorit nacional është “shpikur” për të akomoduar njerëz të rëndësishëm të partive, ndërsa thonë se këta koordinatorë janë vetëm për “shpenzim të buxhetit të shtetit”.

Haradinaj: Shumë vende të botës kanë koordinatorë

Zyra e Kryeministrit në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka thënë se deri më tani janë emëruar tre koordinatorë, ndërsa nuk ka njoftuar nëse planifikohen emërime të koordinatorëve në fusha të tjera.

Kurse lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e koordinatorëve është kërkuar që t’i referohemi sqarimit të kryeministrit Haradinaj të dhënë në një konferencë për medie pas emërimit të Rexhep Hotit dhe Mendim Rugovës në këto pozita.

Haradinaj ka thënë se disa çështje janë në përgjegjësinë e disa institucioneve dhe se duhet dikush t’i koordinojë punët në atë çështje.

“Disa çështje janë ndërministrore, për shembull çështjet e kulturës nuk janë përgjegjësi e vetëm një ministrie, prandaj duhet koordinim ndërministror ose për reformën e administratës nuk është përgjegjësi e vetëm një ministrie, por kanë përgjegjësi shumë ministri. Pra, është një precizitet që dikush e bën koordinimin e atyre çështjeve”, është shprehur Haradinaj, duke thënë se praktika e emërimit të koordinatorëve nuk është praktikë vetëm e Kosovës.

Sipas tij, kjo është praktikë në shumë vende të botës.

 I kontaktuar nga “Zëri”, koordinatori nacional i emëruar për kulturë, rini dhe sport Rexhep Hoti ka thënë se ende nuk e di se cilat janë kompetencat e tij dhe as për numrin e këshilltarëve që do të mundë t’i angazhojë, pasi nuk e ka marrë vendimin e Qeverisë.

“Jo ende, jemi duke e pritur vendimin. As për këshilltarë nuk e di aktualisht, pasi nuk e kam marrë vendimin”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër, koordinatori për gjeneratën e re Avdullah Hasani, duke mos dashur të flasë për punët që ka kryer deri më tani dhe për pagën që e merr, ka kërkuar t’i drejtohemi Zyrës së Kryeministrit.

Opozita: Qeveria po shpik poste për akomodim të militantëve

Deputetja nga Grupi Parlamentar i LDK-së Mimoza Kusari-Lila ka thënë se posti i koordinatorëve është kot dhe se Qeveria po shpik këso poste me qëllim të akomodimit të njerëzve të partive në pushtet.

“Pozitat e koordinatorëve vetëm sa shkaktojnë konfuzitet të mëtutjeshëm dhe nuk do të ndihmojnë asgjë në këto rrethana. Vetë Ministria e Mjedisit i ka diku pesë zëvendësministra, ndërsa as Ministria e Kulturës nuk ka fare më pak. Prandaj emërimi shtesë i njerëzve në këto pozita në kuadër të institucioneve tregojnë vetëm për një qasje të trajtimit të shtetit si plaçkë e partive politike”, është shprehur Kursari-Lila.  

Edhe anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje Tinka Kurti ka thënë se qeveria “Haradinaj” është e pakursyer në shpërblim pozitash e ndarje pagash, por dorështrënguar sa i përket punës, raporteve e rezultateve.

“Identifikimi i problemeve të Kosovës nuk bën të përdoret për shpikje të pozitave, por për ndërhyrje konkrete. Por në këtë rast qartazi nuk është fjala as për kategorizim të problemeve. Nuk janë fushat që i kanë përcaktuar njerëzit, por në bazë të personave janë shpikur këto urgjenca që i paska Kosova e të cilave paskan për t’u dhënë zgjidhje burrat e zgjedhur”, ka shtuar Kurti.

Mushkolaj: Koordinatorët për shpenzimin e buxhetit

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se emërimi i koordinatorëve është vetëm për rehatimin e militantëve partiakë, pasi, sipas tij, nuk ka asnjë arsye të caktohen koordinatorët të cilët në bazë të vendimeve për emërim dhe rregullativës kanë paga të nivelit të ministrave.

“Pra këta janë ministra plus, pavarësisht se nuk drejtojnë ministri, por janë si të themi ministra pa portofol, që e kanë të drejtën e caktimit të tre këshilltarëve. Është një mënyrë sesi ta shpenzojnë buxhetin kot, si të krijojnë pozita kot, që të akomodojnë njerëz të rëndësishëm të partive politike. Nuk kurrfarë arsyeje tjetër që këta të caktohen, pasi edhe ashtu kemi ministra shumë e zëvendësministra edhe më shumë”, ka vlerësuar Mushkolaj.

Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që të emërohen edhe koordinatorë të tjerë jo për të koordinuar ndonjë punë, por për ta “koordinuar” shpenzimin e buxhetit.

Kurse Valmir Ismaili, nga organizata “Demokraci plus”, ka thënë për “Zërin” se emërimi i këtyre zyrtarëve është krejtësisht i panevojshëm.

Ai po ashtu ka theksuar faktin se në këtë mandat janë shtuar edhe dy ministri dhe se numri i zëvendësministrave është shumë i lartë.

“Emërimi i tyre është në kundërshtim edhe me përpjekjet e vetë Qeverisë për reformë të administratës publike, sepse reformë është edhe ulja e fragmentarizmit të administratës publike dhe jo rritja e saj me pozita pa kuptim”, ka vlerësuar Ismaili.

Ai më tej ka thënë se është qasje e gabueshme nëse mendohet që për çdo temë të emërohet një zëvendësministër apo një koordinator, sipas tij, temat janë ato të ministrive dhe për këto tema janë të themeluara ministritë e nuk duhet gjetur “tema” për të arsyetuar emërime të tilla.

“Nëse vazhdohet me këtë qasje, “të gjejmë një temë dhe të emërojmë një koordinator t’i koordinojë punët në mes të institucioneve për atë temë” kjo dukuri nuk do të ketë të ndalur. Ligji për Qeverinë do të duhej ta adresojë pikërisht këtë çështje, ta përcaktojë një organizim të Qeverisë”, ka shtuar Ismaili.

Sipas tij, ajo çka bie në sy është edhe ndarja që bëhet e këtyre pozitave në mes të partnerëve të koalicionit, pra AKK-së, PDK-së dhe “Listës Rugova”.