Molliqaj: Heqja e roamingut dhe kufijve me Shqipërinë, nevojë e domosdoshme e qytetarëve

Aktuale May 30, 2018 - 21:45
Lexoni më shumë detaje

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka folur për rëndësinë e miratimit të rezolutës për hapjen e kufirit dhe heqjen e roamingut në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Molliqaj ka thënë se ideja është që qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë të kalojnë lirshëm pa iu nënshtruar kontrolleve në kufi.

“Tarifat roaming janë më të shtrenjta në mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe kemi besuar që është e drejtë që të kemi një marrëveshje bilaterale mes Kosovës dhe Shqipërisë e cila i largon këto tarifa.

Sa i përket kufijve kemi parë që diku mbi 870 mijë veta kalojnë kufirin nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Dhe meqenëse po shkojmë drejt Integrimeve Evropiane është e rëndësishme që të kemi edhe integrime në rajon dhe me shtete veç e veç”, u shpreh Molliqaj në “Debat Plus”  në RTV Dukagjini.

Ai shtoi se nisma tjetër që është po aq e rëndësishme se heqja e roamingut dhe kufijve është edhe Urinoni Doganor i përbashkët në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

” Unioni i përbashkët doganor do ta lehtësonte hala më shumë biznesin mes dy vendeve”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj theksoi se disa veprime konkrete i kanë bërë dhe do ti bëjmë e që janë hapa që ia lehtësojnë shumë më shumë jetën qytetarëve këndej dhe andej kufirit.

Miratimin e këtyre dy marrëveshjeve në Kuvend, Molliqaj e ka quajtur si reflektim se këto kërkesa kanë qenë nevojë e domosdoshme e njerëzve.

I pyetur rreth bashkimit në mes Kosovës dhe Shqipërisë, Molliqaj theksoi se brenda PSD-së ka persona që janë pro dhe kundër kësaj.

“Brenda partisë ka njerëz që besojnë se bashkimi me Shqipërinë është rrugë e mirë, por ka edhe njerëz që besojnë se një veprim i tillë nuk është as i ngutshëm as i domosdoshëm jo vetëm tani po as në afat të mesëm. Ne kemi artikuluar qartë pse duhet të jetë Kosova një ditë bashkë me Shqipërinë”, tha Molliqaj.