Haradinaj: Koalicioni është stabil, i ka edhe më shumë se 65 vota

Aktuale May 30, 2018 - 21:16
Lexoni më shumë detaje

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se koalicioni  është stabil dhe se i ka edhe më shumë se 65 vota.

Ai është pyetur se si po ecën Qeveria, dhe se sa është i fortë koalicioni aktual, i ndërtuar nga shokët e luftës?

“Nuk është keq. Koalicioni, në bazë të rezultateve zgjedhore, ka qenë një koalicion i ngushtë me numra, por me përgjegjësi të cilat janë kryesore”, është shprehur ai në T7.

“Kemi një stabilitet, nuk kemi problem numrash, domethënë funksionon, nuk shoh ndonjë sfidë...”, ka thënë Daut Haradinaj.

“Koalicioni, mendoj që është tepër stabil në këto rrethana çfarë jemi sot”, ka vlerësuar ai.

Sipas Daut Haradinajt, “koalicioni i ka edhe më shumë se 65 vota".

“Në asnjë variant nuk shoh pengesë të numrave në këtë koalicion”, ka shtuar ai.

“Ka pasur një situatë krize, kur ndodhi rasti Gjuriq, largimi i Listës Srpska, por në proceset e votimit, nëse i shihni, non-stop, prezenca ose pjesëmarrja e Listës Srpska ka ekzistuar”, ka theksuar ai.