Thaçi në Vjenë: Kosova, e gatshme për dialog dhe për kompromis me Serbinë

Aktuale May 30, 2018 - 20:47
Lexoni më shumë detaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në promovimin që Akademia Diplomatike e Vjenës i ka bërë librit biografik "New State, Modern Statesman", ku të pranishëm ishin shumë personalitete të jetës publike në Austri, përcjell “Zeri.info”.

Në këtë ngjarje promovuese kanë folur Drejtori i Akademisë Diplomatike të Vjenës, Emil Brix, ambasadori Albert Rohan, ambasadori Wolfgang Petrisch dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Thaçi ka folur edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon, për perspektiven evropiane dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se historia jonë bashkëkohore është e lidhur ngushtë më Vjenën, me diplomatët austriakë, me universitetet austriake dhe me aktivistët austriakë për të drejtat e njeriut.

"Nga Christine von Kohl e deri te Otto von Habsburg dhe nga Alois Mock e deri te Rohan dhe Petritsch, Kosova gjithmonë ka gjetur mbështetje këtu. Kjo përkrahje bazohej në parime dhe njohuri shumë të mirë për Ballkanin", u shpreh presidenti Thaçi, transmeton “Zëri.Info”.

Kreu i shtetit ka thënë se Austria nuk e zbuloi Ballkanin gjatë viteve 1990, por Austria e njihte Ballkanin mirë, sepse historia jonë është e ndërlidhur në shumë e shumë mënyra.

"Shpata dhe helmeta e heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut, i cili gëzon epitetin "Kampioni i Krishtit", gjinden në Vjenë. Hasan Prishtina, një nga figurat më të mëdha historike të Kosovës, gjithashtu iku në Vjenë kur Serbia e ripushtoi Kosovën më 1918", ka thënë presidenti Thaçi, përcjell “Zëri”.

Ai ka shtuar se Vjena është gjithashtu vendi ku presidenti Martti Ahtisaari dhe ambasadori Rohan zhvilluan bisedime për statusin përfundimtar të Kosovës.

"Për mua personalisht, Vjena gjithashtu ka një kuptim, sepse kur isha një djalë shumë i ri, pas shkollës së mesme, para së të aktivizohesha në politikën studentore, vizitova Vjenën", u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se ishin diplomatët austriakë, ambasadori Jan Kickert dhe ambasadori Wolfgang Petritsch, në verë të vitit 1998, diplomatët e parë evropianë që i kanë kontaktuar dhe i kanë ftuar, presidentin Thaçi dhe miqtë e tij, për t'i bindur që të bëhen pjesë e procesit politik.

I pari i vendit ka kujtuar se kjo nuk ishte fare e lehtë për ta, por ishin ambasadorët austriakë ata që patën guximin t'u besonin.

"Ata kishin durimin që të na dëgjonin. Për këtë do t'u mbetem gjithmonë mirënjohës", u shpreh ai, transmeton “Zeri.info”.

Presidenti Thaçi ka shpalosur edhe diskutimet që ka pasur në takimin me kancelarin Kurz.

"Sebastian është një mbështetës i fuqishëm i pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe ai personalisht është shumë i përfshirë për të ndihmuar integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ne diskutuam për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe sesi Austria është një nga investitorët më të mëdhenj në Kosovë", ka thënë ai.

Duke folur për fazën e fundit të dialogut me Serbinë, Thaçi ka theksuar se mund të lëvizim përpara, të angazhohemi për kompromis dhe t'i ndihmojmë njerëzit në Kosovë dhe Serbi që të arrijnë normalizimin dhe pajtimin historik.

"Ose mund të mbërthehemi në status quo dhe t'i ftojmë forcat e ekstremizmit, nacionalizmit dhe rreziqeve të jashtme për të rrënuar të gjithë progresin që kemi arritur. Unë besoj dhe shumica e partive politike të Kosovës pajtohen, se ne tani duhet të lëvizim drejt zgjidhjes së përhershme", ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka përmendur edhe tri elemente jetike që dialogu të ketë sukses.

"Kemi nevojë për angazhim shumë të fokusuar dhe të fortë nga Brukseli për të arritur një marrëveshje juridike kornizë mes dy palëve. Nuk mjafton që Brukseli vetëm të sigurojë një sallë dhe disa restorante. Brukseli duhet të investojë për të arritur te vetë zgjidhja. Duhet të investojë burime, njerëz dhe kohë për mbylljen e këtij kapitulli. Besoj se zonja Mogherini do ta bëjë këtë", ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se procesi ka nevojë edhe që Uashingtoni të mbetet i angazhuar.

"Jam takuar me Wess Mitchell, zëvendëssekretarin e ri, si dhe kam takuar disa herë zëvendëspresidentin Mike Pence dhe ka një interesim të madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar Ballkanin. Javët e fundit gjithashtu kam pasur takime të mira edhe me presidentin Macron dhe kancelaren Merkel dhe ka një vullnet të fortë në Paris dhe Berlin për të na ndihmuar që ta arrijmë këtë marrëveshje", ka thënë ai, përcjell më tutje “Zeri.info”.

Sipas presidentit Thaci, kancelari Kurz gjithashtu është përkrahës dhe e mirëpret këtë agjendë, si dhe është i gatshëm të ndihmojë dhe dinamizojë procesin gjatë kryesimin të Presidencës së BE-së nga Austria.

Kurse, si element të tretë, presidenti Thaçi ka përmendur që zgjidhja duhet të jetë e favorshme për të dyja palët.

"Ajo nuk mund të matet në kilometra të territorit, por në progres për integrimin e ardhshëm në BE. Ne duhet të ofrojmë siguri dhe mundësi maksimale për serbët e Kosovës, por gjithashtu një vend të barabartë për Kosovën në familjen e Kombeve të Bashkuara", ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti ka theksuar se Kosova është e gatshme për dialog dhe është e gatshme edhe për kompromis, për marrëveshje dhe për marrëdhënie evropiane me Serbinë. /ZËRI/