Matura në Prishtinë, avazi i njëjtë me kopjime

Aktuale May 30, 2018 - 10:27
Detajet

Dje në Rajonin e  Prishtinës është mbajtur pjesa e parë e testit të Maturës Shtetërorë 2018, por edhe në këtë rajon sikurse në Ferizaj dhe Gjilan nuk kanë munguar kopjimet në test nga ana e nxënësve, shkruan "Zëri.info".

Në disa fotografi të siguruara nga gazeta “Zëri”, shihet se nxënësit nga shkollat e rajonit të Prishtinës, mes vete kanë shkëmbyer përgjigjeje të testit të Maturës Shtetërore.

Në disa raste kjo nuk përfundoi edhe mirë pasi që, maturantë nga gjimnazi “Eqrem Çabej”, në Prishtinë për “Zërin”, kanë rrëfyer se ka pasur edhe nxënës që janë larguar nga testi, nga ana e policisë dhe zyrtarëve nga Ministria e Arsimit për arsye se  janë zënë duke postuar fotografi me përgjigje në rrjete sociale.

Në anën tjetër administrator nga këto qendra kanë thënë se mbarëvajtja e testit ka shkuar në rregull dhe që nuk ka pasur probleme.

E për krejt këtë gjë zyrtarë nga Ministria e Arsimit, shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), kanë thënë se dhjetëra maturantë kanë manipuluar me testin e maturës dhe se ka pasur edhe administratorë që kanë keqpërdorur detyrën e tyre e që në ditët në vijim do të bëhen publik emrat e tyre.                         

Testet shpërndahen me të madhe në rrjete sociale

Sikurse edhe në rajonin e Gjilanit dhe Ferizajt edhe sot në Rajonin e Prishtinës, pyetjet e Testit të Maturës Shtetërore në rajonin e Prishtinës janë shpërndarë në rrjetet sociale.

Në disa fotografi të siguruara nga gazeta “Zëri”, shihet se si nxënësit kanë komunikuar në mes vete përmes një grupi në Facebook.

Në këto fotografi ata komunikojnë për pyetjet dhe përgjigjet e testit dhe se konfirmojnë që të gjitha pyetjet e testeve janë të njëjta dhe se vetëm vendet janë të ndërruara.

Po ashtu “Zëri”, ka siguruar fotografi edhe të testeve që nxënësit paraprakisht i kanë pasur në shtëpitë e tyre dhe se paraprakisht ata janë përgatitur për testin.

E për të gjitha këto parregullsi në një përgjigje dhënë për “Zërin”, ditën e hënë, kryetari i Këshillimit Shtetëror të Maturës(KSHM), Fehmi Hysenaj ka thënë që nxënësit të cilët zinen duke kopjuar do të ndëshkohen me anulim të testit.

Nxënësit në test kanë ardhur me telefona

Administratorja e Testit të Maturës Shtetërore në gjimnazin “Xhevdet Doda”, në Prishtinë, për “Zërin”, ka thënë që procesi i testit është duke shkuar në rregull por që edhe ka pasur vështirësi për arsye së në fillim të tij nxënësit kanë pasur telefona me vete.

“Për momentin gjendja është shumë e qetë, gjithçka ka shkuar në rregull. Fillimin e patëm pak më të vështirë pasi që nxënësit janë mësuar me ardh me telefona dhe një numër shumë i madh i tyre kishin telefona me vete. Ne u kemi rikujtuar edhe një herë rregullin që ata nuk mund të hynë me telefona. Janë mobilizuar dhe i kanë lënë telefonat përjashta kanë hyrë brenda, janë shpërndarë testet dhe nuk ka pasur parregullsi”, ka thënë ajo.

Dhjetëra maturantë manipulojnë me testin e Maturës Shtetërore

Përmes një komunikatë për shtyp Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë të ditur se administratorët e testit të Maturës të cilët e kanë keqpërdorur detyrën e tyr së shpejti do të publikohen me emra dhe do të ndëshkohen.

“Deri më tani, nga tri rajonet ku është zhvilluar testi i Maturës, pra në Ferizaj, Gjilan dhe Prishtinë, janë evidentuar gjithsej pesë administrues, të cilët kanë punuar në kundërshtim me përgjegjësitë e tyre dhe MAShT shumë shpejtë do të bëjë publikim e emrave të tyre dhe do të marrë masa ndëshkuese konform vendimit dhe legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatën e MASHT.

Tutje zyrtarë nga MASHT, bëjnë të ditur se për arsye të kopjimit në këtë test dhjetëra maturantë janë përjashtuar nga testi dhe se për parregullsitë e tjera janë të njoftuara organet e rendit.

“Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve edhe dhjetëra maturantë janë përjashtuar nga testi për arsye të përdorimit të telefonave në qendrat e testimit. Ndërsa, rastet tjera të parregullsive të shënuara gjatë këtij procesi, Ministria me kohë i ka raportuar në organet kompetente”, thuhet tutje në komunikatë./ZERI

Image

Image

Image