Kaq mijëra euro shpenzuan deputetët për dreka zyrtare

Aktuale May 29, 2018 - 10:36
Mësoni më shumë shumë detaje

Gazeta “Zëri” ka analizuar shpenzimet që deputetët e Kuvendit i kanë bërë në katër muajt e parë të legjislaturës, me ç'rast shihet se për dreka zyrtare të zgjedhurit e popullit kanë shpenzuar rreth 30 mijë euro.

Sipas shifrave të publikuara del se deputetët e Kuvendit kanë shpenzuar 14 mijë e 834 euro vetëm për vizitat zyrtare jashtë vendit.

Me këtë rast mësohet se mëditjet e tyre nga këto vizita jashtë vendit kapin vlerën prej 13 mijë e 777 eurosh.

LEXO EDHE: Miliona euro për pagat dhe luksin e deputetëve

Përderisa harxhimet për akomodim gjatë udhëtimeve zyrtare shkojnë deri në 9 mijë euro, shpenzimet e tjera gjatë këtyre udhëtimeve, të cilat nuk specifikohen në raport, kapin shifrën prej 1600 eurosh.

Sipas të dhënave në fjalë bëhet e ditur se vlera e mëditjes për vetëm një vizitë jashtë vendit sillet nga 129 deri në 568 euro për individ.

Ndërkohë, gjersa shpenzimet e tjera telefonike në operatorin “Vala” përgjatë këtyre katër muajve kapin shifrën 21 mijë 800 euro, harxhimet e udhëtimeve brenda vendit për 120 deputetët mbërrijnë 2300 euro.

Pos këtyre, deputetët e Parlamentit të Kosovës shpenzuan fiks 29 mijë e 407 euro për dreka zyrtare përgjatë kësaj periudhe kohore.

Por ndonëse po bëhen pesë muaj prejse ka nisur viti 2018, Kuvendi i Kosovës ende nuk ka publikuar asnjë raport financiar për këtë periudhë.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka thënë përZërinse shpenzimet për tremujorin e parë të këtij viti do të publikohen në uebfaqe pas shqyrtimit të raportit nga Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe Kryesia e Kuvendit.