Apostolova: S’mjafton miratimi i ligjeve, duhen rezultate

Aktuale May 29, 2018 - 08:45
Lexoni më shumë detaje

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë Nataliya Apostolova ka thënë se Kosova deri në shtator të këtij viti duhet ta përmbushë shumicën e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA), të lansuar nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Apostolova ka thënë se nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve, porse duhet të ketë rezultate konkrete nga zbatimi i ligjeve.

Këto deklarata ajo i ka dhënë në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) me temën “Agjenda për Reforma Evropiane (ERA): Sfidat dhe pritshmëritë”.

“Është me rëndësi që bashkërisht të mundohemi që Kosova të implementojë shumicën e projektit ERA deri në shtator të këtij viti, sepse ne tani këndvështrimin tonë do të duhet ta kemi në Agjendën e Reformave Evropiane të vitit 2017”, ka deklaruar Apostolova, shkruan më tutje "Zëri".

Ajo ka thënë edhe se është me rëndësi që Kosova të vazhdojë punën në fushën ligjore duke punuar në plotësimin e kritereve për liberalizim të vizave.

“Është shumë e rëndësishme që Kosova të bëjë një listë të prioriteteve që lidhen me zbatimin e ligjeve dhe me veprime konkrete jo vetëm në letër. Kemi procese të shumta me rëndësi sa u përket kritereve të fundit për liberalizimin e vizave që lidhen me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ka shumë këmbime nga zyra jonë në Bruksel me Ministrinë e Integrimeve të Kosovës në këtë drejtim”, ka theksuar Apostolova.

Në fund ajo ka thënë se rruga e Kosovës drejt BE-së lidhet pikërisht me zbatimin e Marrëveshjes së MSA-së.

Edhe Gerrie Willems, ambasadore e Holandës në Kosovë dhe pjesëmarrëse në këtë tryezë, ka përkrahur Apostolovën në kërkesat e saj kundrejt Kosovës.

Ajo kërkoi nga institucionet që të përkushtohen në zbatimin e këtij plani, në të cilin përpos institucioneve duhet të marrin pjesë edhe shoqëria civile, komuniteti i biznesit, mediet dhe qytetarët.

“MSA-ja dhe ERA janë kryesore. ERA ofron mundësi për përmirësimin e ligjit dhe të investimeve, në punësim e në arsim të vendit. Jam e lumtur të shoh që për zbatimin e ligjit ka shkallë më të lartë të arritshmërisë. Ndryshimi i politikave është dhe duhet të mbetet hap kyç për ecjen e Kosovës përpara. Implementimi konkret i ERA-s mbetet sfidë kryesore për Kosovën”, ka thënë Willems.

Ajo ritheksoi po ashtu se deri në shtator të këtij ky projekt duhet të implementohet.

“Kjo kërkon përkushtim politik, ky është procesi juaj, jo yni, është në dorën tuaj. Por me forcat e përbashkëta mund të arrijmë rezultate konkrete. Deri në shtator ‘ERA 2017’ duhet të realizohet plotësisht. U bëj thirrje institucioneve të Kosovës që ta realizojnë këtë projekt. Qytetarët presin qe të demonstroni realizimin”, ka theksuar ajo.

Në anën tjetër, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka thënë që Kosova ka shënuar progres në përmbushjen e Agjendës Evropiane, pavarësisht se ajo theksoi që është plotësuar vetëm njëri nga 22 kriteret nga Bashkimi Evropian.

“Deri më tani ka progres të konsiderueshëm, ky progres është avancuar sidomos pas miratimit të 11 ligjeve në Kuvendin e Kosovës. Sa i përket sundimit të ligjit, ndër të arriturat më të mëdha është miratimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe miratimi i ndryshimit të Ligjit për Prokurorinë e Shtetit. Në këtë drejtim, ka pasur progres edhe në një numër prioritetesh”, ka thënë Hoxha.